Brukseli duhet të ndryshojë strategji në Ballkan

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Brukseli duhet të ndryshojë strategji në Ballkan

Mjeti kryesor i BE-së në Ballkanin Perëndimor është oferta dhe shpresa e anëtarësimit në BE, kështu që nëse nuk e ristarton procesin e bllokuar të zgjerimit, aftësia e saj për të ndikuar në ngjarjet në rajon do të vuajë ndjeshëm.

Nga Vesko Garceviç

Në librin e tyre të vitit 2018, “Power in Interpersonal Conflict”, Joyce Hocker dhe William Wilmont argumentojnë se “pushteti varet nga kontrolli i parave që u nevojiten popujve të tjerë”.

Pra, nëse një vend kontrollon paratë që të nevojiten, atëherë ai ka pushtet mbi ty. Jacob Mardell, një analist në Institutin Mercator për Studime Kineze, konfirmon se si funksionon ky model.

Advertisement

Duke marrë si shembull projektin e autostradës në Mal të Zi, Mordell shpjegon: “Mali i Zi dëshironte që ajo punë të bëhej dhe Kina ishte e vetmja e gatshme ta financonte atë” – pasi qeveria e Podgoricës nuk kishte ndonjë mbështetës evropian, për shkak se studimet e fizibilitetit theksuan kostot e larta të projektit dhe fitimet e mundshme të ulëta.

Që nga Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Selanik, perspektiva dhe oferta e anëtarësimit në BE ka mbetur “monedha” më e fuqishme e Brukselit. Në dekadën e parë pas Selanikut, e përforcuar nga “zgjerimi i madh i BE-së” në 2004, perspektiva e BE-së shërbeu si një katalizator për transformim demokratik.

Megjithatë, konteksti ka ndryshuar shumë që nga ajo kohë. Në vitin 2003, pak prisnin që, deri në vitin 2021, shumica e vendeve nga rajoni të mos ishin pjesë e BE-së ose në prag të anëtarësimit në të.

Sot, perspektivat e anëtarësimit të vendeve jo anëtare duken aq të largëta sa ishin 18 vjet më parë. Pas ngërçit të zgjerimit qëndrojnë disa faktorë dhe reforma e pamjaftueshme demokratike në vendet e ardhshme anëtare është vetëm një prej tyre. Në Selanik, të gjitha palët morën përgjegjësinë për suksesin e projektit. Nëse anëtarët e mundshëm pritet të kryejnë reforma, BE-ja duhet të krijojë një ambient inkurajues që të ndodhë transformimi demokratik.

Advertisement

Ky proces nuk ka funksionuar mirë kohët e fundit dhe është afër një qorrsokaku. “Monedhat tradicionale të pushtetit” të BE-së janë kompromentuar seriozisht. Pas eksperiencës së valëve të fundit të zgjerimit të BE-së, krizës së emigrantëve, Brexit dhe problemeve me disa nga anëtarët më të rinj, të ashtuquajturit “anëtarë të vjetër të BE-së” janë bërë gjithnjë e më të kujdesshëm në lidhje me zgjerimin.

Pamundësia e BE-së për të mbështetur shpërndarjen e vaksinave kundër COVID-të në rajon e ka ulur edhe më tej reputacionin e saj gjatë një kohe kritike në Ballkanin Perëndimor. Ishin Kina dhe Rusia ato që siguruan vaksinat në vendet e rajonit në vend që këtë ta bënte BE-ja.

Jo “rifreskim” i mjaftueshëm gjatë rrugës

Anëtarësimi po bëhet gjithnjë e më kërkues e po zgjat gjithnjë e më shumë dhe BE-ja ofron pak ose aspak “freskim” në këtë udhëtim që zgjat me dekada. Vendet në rajon kanë filluar të ndihen monoton dhe të pashpresë. Çfarëdo që ata të bëjnë, rezultati duket pak a shumë i njëjtë; shembulli i Maqedonisë së Veriut ai i dhe Shqipërisë e konfirmojnë këtë.

Advertisement

Pritja e njëzetë ose më shumë viteve për t’u bërë të pranueshëm për anëtarësim, pa stimuj gjatë rrugës, shkakton lodhje te kandidatët dhe dobëson ata që punojnë vërtet në axhendën e reformave. Është një mit që transformimi demokratik çon në një fund të lumtur. Shumica e vendeve, nëse nuk mbështeten, kanë ngecur në mes.

Duke prezantuar një metodologji të re zgjerimi vitin e kaluar, Brukseli u përpoq t’i jepte jetë një perspektive të BE-së që po vdes. Por strategjia e rishikuar nuk ka ripërtërirë shpresën në rajon dhe ka pak shanse të sjellë ndryshimin që u nevojitet të dyja palëve,

Mund të thuhet se BE-ja e ka mësuar mësimin e saj. Rajoni duket se po rikthehet në fokusin e BE-së duke pasur parasysh numrin në rritje të deklaratave të BE-së, non-papers, duke përfshirë edhe atë që përmend mundësinë e ndryshimit të kufijve, dhe takimet me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor këtë pranverë.

Megjithatë, nëse shikojmë përmbajtjen e mesazheve dhe shqyrtojmë deklaratat e fundit publike, ato duken dhe tingëllojnë si një déjà vu. Pjesa më e madhe e tyre ripaketojnë ose rietiketojnë të njëjtin produkt të vjetër.

Advertisement

“Ka ardhur koha që të hedhim një vështrim strategjik në Ballkanin Perëndimor”, shkruan disa muaj më parë ministrat e jashtëm të Austrisë, Kroacisë, Republikës Çeke, Gjermanisë, Greqisë, Irlandës, Rumanisë, Sllovakisë dhe Sllovenisë.

Procesi i anëtarësimit duhet të ridizenjohet

Pushteti i Brukselit qëndron ende në vlerat dhe parimet që ai promovon. Shtetet anëtare të BE-së duhet të ringjallin perspektivën e anëtarësimit të rajonit. Përndryshe, ndërsa korrupsioni në rajon vazhdon dhe sundimi i ligjit dhe standardet demokratike vazhdojnë të bëjnë hapa pas, aftësia e “aktorëve të tretë” për të çuar para politikat e tyre rritet. Nëse asgjë nuk ndryshon, trajektorja aktuale do të çojë në një rezultat humbje-humbje për Brukselin dhe rajonin.

Anëtarët e BE duhet fillimisht të përmbushin premtimet e tyre dhe të adresojnë çështjet që dëmtojnë besueshmërinë e Brukselit në rajon. BE-ja duhet të hapë negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut pa zhurmë të mëtejshme.

Advertisement

Liberalizimi i vizave për Kosovën nuk do të ishte vetëm një njohje e punës së bërë nga autoritetet e Prishtinës, por kjo mund të ketë gjithashtu një ndikim pozitiv në dialogun e bllokuar Kosovë-Serbi.

Bosnjës dhe Hercegovinës duhet t’i jepet një shans për të marrë një status kandidati nën presidencën e Sllovenisë në BE. Kjo do të ishte një përgjigje shumë e përshtatshme për ata që kërkojnë shpërbërjen e vendit.

Thirrjet për më shumë angazhim të BE-së në Bosnjë dhe Hercegovinë duhet gjithashtu të ndiqen nga një udhërrëfyes i qartë me një sërë qëllimesh të arritshme. Nëse dëshiron që Sarajeva të ketë sukses, Brukseli duhet ta shohë atë si suksesin e vet dhe duhet të jetë plotësisht i përfshirë dhe i përkushtuar politikisht ndaj saj.

Në një periudhë afatgjatë, BE-ja duhet të ridizenjojë procesin e pranimit, duke ofruar integrim në BE në disa hapa dhe duke vendosur qëllime të ndërmjetme përpara përfshirjes së plotë në bashkim.

Advertisement

Vitin e kaluar, Nisma Evropiane për Stabilitet, ESI, propozoi një proces “me dy hapa” për integrim në BE, të quajtur “Modeli i Përfunduar”. Hapi i parë do të ishte përfshirja, në shkallë të ndryshme, e vendeve të interesuara në tregun e vetëm të BE-së.

Vëllimi i tregtisë midis rajonit dhe anëtarëve të BE-së dhe Investimeve të Huaja Direkte vërteton idenë e tregut të vetëm; BE-ja tashmë zë pothuajse 70 për qind të tregtisë së rajonit. Në vitin 2018, tregtia e rajonit me BE-në ishte me vlerë 54 miliardë euro. Për më tepër, vendet anëtare të BE-së kanë investuar 12.7 miliardë euro në Ballkanin Perëndimor midis vitit 2014 dhe 2018, për të nxitur rimëkëmbjen ekonomike afatgjatë të rajonit, si dhe për të nxitur integrimin e tij ekonomik.

Brukseli kohët e fundit ka miratuar një Plan Ekonomik dhe Investimesh prej ​​9 miliardë eurosh.

Një metodologji më gjithëpërfshirëse mund të zbatohet në fusha të tjera, ku një vend kandidat plotëson standardet e BE-së. Ndërsa ata mbyllin kapituj ose përputhen plotësisht me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, vendeve të ardhshme anëtare mund t’u ofrohet një plan i përshtatur se si të marrin pjesë në një fushë specifike, bazuar në aftësinë e vendit në fjalë.

Advertisement

Kjo qasje do t’u ofronte më shumë vendeve aspirante, ndërsa nuk kompromenton kriteret e BE-së në fushat kryesore të sundimit të ligjit, demokratizimit dhe punëve të brendshme. Një metodologji e tillë e re ka të ngjarë të stimulojë reformat, duke përmirësuar modelin ekzistues të referimit me një theks në fitimet e veçanta që vendet mund të bëjnë gjatë procesit të pranimit.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy