Bullgaria me qëndrim të pandryshuar ndaj Maqedonisë së Veriut

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Qeveria e përkohshme e Bullgarisë, përjashtoi të mërkurën çdo ndryshim në veton e këtij vendi ndaj nisjes së negociatave të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Nëntorin e kaluar Bullgaria bllokoi fillimin e këtyre negociatave me fqinjin e saj më të vogël Ballkanik, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi historinë dhe gjuhën. Sofja gjithashtu akuzon Shkupin për shpërndarje të gjuhës së urrejtjes dhe dështim në zbatimin e një traktati dypalësh të miqësisë të vitit 2017.

Qëndrimi bullgar preku edhe Shqipërinë e cila ka përparuar në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian së bashku me Shkupin. Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të hënën pas takimit të ministrave të Jashtëm të bllokut se duhet çuar përpara procesin me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por “asnjëherë nuk ka pasur synim për veçimin e tyre në këtë proces”, ndonëse javën e kaluar, komisionari për zgjerim, Oliver Varhelyi, la të hapur mundësinë që Shqipëria të veçohet nga Maqedonia e Veriut, apo që e para të nisë negociatat për anëtarësim.

“Qëndrimi i Bullgarisë u pranua me konsensus midis të gjitha partive politike në parlamentin bullgar. Si qeveri e përkohshme, ne nuk kemi asnjë autorizim për ta ndryshuar atë,” u tha të mërkurën gazetarëve ministri i ri i jashtëm bullgar, Svetlan Stoev.

Advertisement

Kabineti i përkohshëm, që mori detyrën të mërkurën pasi që partitë dështuan të bien dakord mbi formimin e një qeverie të re të koalicionit pas zgjedhjeve të muajit prill, do të drejtojë Bullgarinë deri në zgjedhjet e parakohshme të caktuara për 11 korrik.

Svetlan Stoev, 60 vjeçar, një diplomat i karrierës tha se do të bëjë çdo përpjekje për të vazhduar dialogun me Maqedoninë e Veriut.

“Më tej gjithçka është në duart e zyrtarëve në Maqedoninë e Veriut. Ata e dinë shumë mirë pozicionin bullgar dhe nuk duhet të spekulojnë se do të ketë ndonjë ndryshim në dy ose tre muajt e ardhshëm, ndërsa kjo qeveri e përkohshme është në detyrë,” tha ai.

Sofja kërkon që Shkupi të pranojë që kombi dhe gjuha e Maqedonisë së Veriut kanë rrënjë bullgare dhe dëshiron që ajo t’i japë fund retorikës anti-bullgare.

Advertisement

Maqedonia e Veriut, një ish republikë Jugosllave, thotë se identiteti dhe gjuha e saj nuk janë të hapura për diskutim.

Kryeministri i ri i përkohshëm i Bullgarisë, tha të mërkurën se përparësi e qeverisë së tij do të jetë mbështetja e shtetit të së drejtës në vendin më të varfër të Bashkimit Evropian.

Presidenti bullgar, Rumen Radev, emëroi ish ministrin e Mbrojtjes Stefan Yanev, për të udhëhequr qeverinë deri në zgjedhjet e parakohshme.

“Dua t’ju përgëzoj për guximin që të merrni përgjegjësinë në një situatë kaq të ndërlikuar. Unë besoj në mbështetjen e shoqërisë bullgare, e cila tregoi se ajo nuk dëshiron të jetojë në mënyrën e vjetër. Në një situatë si kjo, qeverisja e shtetit kërkon udhëheqje, profesionalizëm dhe përkushtim”, tha presidenti bullgar.

Advertisement

Sipas organizatës Transparency International, Bullgaria renditet si shteti anëtar më i korruptuar i Bashkimit Evropian. Ajo është kritikuar nga Brukseli për dështim në përmirësimin e gjyqësorit dhe mosndëshkim të ndonjë zyrtari të lartë nën akuzat për korrupsion.

Presidenti Radev mbështeti protestat anti-qeveritare vitin e kaluar në të cilat ish kryeministri Boyko Borissov, që kishte mbajtur pushtetin me ndërprerje të shkurtra që nga viti 2009, u kritikua për dobësimin e institucioneve shtetërore në dobi të oligarkëve vendas dhe bizneseve të afërta me partine e tij të qendrës së djathtë./

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2021 Struga.info | Privacy policy