
Tre ushtarakët e repartit të Zall Herrit u lanë në burg këtë të hënë nga gjykata.
Të akuzuar për shpërdorim detyre pas zbulimit të 125 rrënjëve kanabis në repart, shefi i Sigurisë së repartit, Gramoz Mullai dhe dy specialistët e zbulimit, Rustem Koçi dhe Gentian Zhuda nuk e pranuan akuzën para trupës gjykuese.
Gjatë mbrojtjes së tyre, ata u shprehën se 140 hektarë tokë është e pamundur për t’u kontrolluar e gjitha. Të akuzuarit pretenduan gjatë seancës se kanë lajmëruar eprorët e tyre për territorin e thyer dhe pamundësinë për të ushtruar kontroll.
Ndërsa avokatët mbrojtës të tre ushtarakëve deklaroi se ndaj tyre nuk mund të ngrihet akuzë pa dalë akt-ekspertimi.
Sipas burimeve, lënda narkotike e ndarë në gjashtë parcela dyshohet të jetë mbjellë në muajin maj. Për ngjarjen deri tani në polici kanë dhënë shpjegime 13 persona.