Deklarata gjermane rindez tensionet Kosovë-Shqipëri për Ballkanin e Hapur

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Deklarata gjermane rindez tensionet Kosovë-Shqipëri për Ballkanin e Hapur

Një deklaratë e një zëdhënësi të qeverisë gjermane që mbështet bashkëpunimin ballkanik ka rindezur “luftën e fjalëve” midis Kosovës dhe Shqipërisë lidhur me nismën “Ballkani i Hapur”.

Nga Përparim Isufi

Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës janë tensionuar përsëri pasi një zyrtar gjerman tregoi mbështetjen e Berlinit për projektin e diskutueshëm rajonal “Ballkani i Hapur”, të cilin Kosova e kundërshton me vendosmëri.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u takuan në Shkup muajin e kaluar për këtë nismë, duke u zotuar se do të heqë shumicën e pengesave kufitare që pengojnë udhëtimet dhe biznesin midis tre shteteve deri në vitin 2023.

Advertisement

Por Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina kanë hezituar t’i bashkohen nismës, e cila e ka origjinën në vitin 2019 dhe është quajtur jozyrtarisht një “Mini-Shengen”.

Të mërkurën, një zëdhënës i qeverisë gjermane tha për portalin e lajmeve Express në Prishtinë se Berlini beson se “çdo bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor është i dobishëm”.

“Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që bashkëpunimi të mbetet gjithëpërfshirës dhe i hapur për gjashtë vendet e rajonit. Kjo është arsyeja pse ne mbështesim Planin e Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal”, citohet të ketë thënë zëdhënësi.

Disa orë më vonë, kryeministri i Shqipërisë kritikoi liderët e Kosovës që e kundërshtojnë nismën Ballkani i Hapur.

Advertisement

“ÇUDI! Qeveria gjermane e mbështeska Open Balkan ndryshe nga çfarë u thuhet njerëzve në Prishtinë e Tiranë”, tha ai.

“Dhe jo vetëm kaq, po kërkon nënshkrimin urgjent të marrëveshjeve për Tregun e Përbashkët Rajonal para Samitit BE-Ballkan në 6 tetor!”, shtoi Rama.

“Gjermania thotë se Ballkani i Hapur duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe po, natyrisht, duhet të jetë, kështu që dera mbetet e hapur, por ne nuk mund të përfshijmë askënd me forcë dhe as të presim derisa ata që nuk janë të bindur të kuptojnë se kjo është rruga drejt së ardhmes,” vazhdoi Rama.

“Open Balkan thotë qeveria gjermane duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe po, patjetër, kështu duhet të jetë e ndaj dera është e hapur, por as nuk përfshijmë dot kënd me zor, as nuk rrimë dot të presim sa t’u mbushet mendja atyre që s’duan të kuptojnë se kjo është rruga e të ardhmes!”, tha Rama.

Advertisement

Nga Prishtina, Jeton Zylfaj, këshilltari i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, kundërshtoi ashpër pretendimin e Ramës.

“Gjermania nuk mbështet “Mini Shengenin” tash të ndryshuar në “Open Balkan”. Gjermania mbështet Tregun e Përbashkët Rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit. “Mini Shengen” (Open Balkan…) është duplifikim i panevojshëm. Eja të punojmë së bashku në Procesin e Berlinit Edi Rama”, shkroi ai.

Bosnja dhe Mali i Zi thonë se nuk shohin përfitime të veçanta nga nisma Ballkani i Hapur, pasi lehtësimi i kufizimeve të udhëtimit dhe tregtisë tashmë mbulohen nga marrëveshja më e gjerë CEFTA, ku ata bëjnë pjesë, dhe nga marrëveshjet dypalëshe.

Por Kosova ka shprehur një kundërshtim më të fortë, më politik ndaj planit, kryesisht lidhur me refuzimin e Serbisë për të njohur pavarësinë e ish-krahinës së saj, të shpallur në shkurt 2008.

Advertisement

Marrëveshja e arritur nga Zaev, Rama dhe Vuçiç parashikon bashkëpunim në disa fusha. Në trajtimin e katastrofave natyrore, ajo i lejon tre vendet të bashkëpunojnë ngushtë jo vetëm në parandalimin, por edhe në dhënien dhe koordinimin e ndihmës reciproke gjatë tërmeteve, stuhive, zjarreve dhe fatkeqësive të tjera.

Sa i përket tregtisë, dokumentet e panevojshme do të hiqen dhe transporti i mallrave në pikat kufitare do të përshpejtohet. Një ide e diskutuar ishte hapja e korsive speciale në pikat kufitare për qytetarët e Ballkanit në mënyrë që ata të kenë përparësi.

Unifikimi i tregjeve të punës është parashikuar gjithashtu, duke lehtësuar dhënien e lejeve të punës për qytetarët e një vendi në dy vendet e tjera, pranimi reciprok i diplomave dhe kualifikimeve të punës, duke e bërë fuqinë punëtore më fleksibël dhe duke shpresuar kështu të tërhiqen më shumë investime.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy