
Presidenti, Ilir Meta është arsyeja pse çështja mes Shqipërisë dhe Greqisë për detin nuk është dërguar ende në gjykatën ndërkombetare të Hagës. Këtë e ka bërë të ditur ministri i jashtëm grek, Nikos Dendias në një intervistë për mediat greke teksa shtoi se me zgjedhjen e kreut të ri të shtetit do të zgjidhet edhe mosmarrëveshja.
NIKOS DENDIAS
MINISTËR IJASHTËM, GREQI
Advertisement“Kemi rënë dakord të shkojmë në Hagë për çështjen e detit për të vendosur dhe zbatuar të drejtën ndërkombëtare. Por kjo nuk është bërë ende pasi presidenti aktual nuk i jep autorizimin e nevojshëm kryeministrit. Presidenti tjetër do të zgjidhet gjatë dy tre muajve të ardhshëm, pra të gjitha këto do të zbatohen”
I pyetur për deklaratën e homologes së tij, Olta Xhacka, e cila përmendi çështjen e të drejtave të njeriut të komunitetit Çam, Dendias u përgjigj:
NIKOS DENDIAS
MINISTËR IJASHTËM, GREQI
“Besoj se përsa i përket atij dialogu konkret, përgjigjen e thashë atë moment që të mos kemi keqkuptime. Besoj se marrëdhëniet greko-shqiptare, nuk do jenë peng i çështjes në fjalë, për të cilën pala greke beson se me të drejtë nuk ekziston. Shqipëria gjatë qeverisjes Rama ka një zgjedhje të rëndësishme që është bashkimi evropian, pra rrjedhimisht bashkëpunimi me Greqinë”
Ministrja Xhacka gjatë konferencës me ministrin grek deklaroi se Tirana dhe Athina mund të fillojnë diskutimet edhe për çështje të tjera, sado të vështira, të trashëguara nga periudha e Luftës së Dytë Botërore, siç është nevoja për të abroguar Ligjin e Luftës, apo çështja e të drejtave të pronësisë dhe të drejtave të njeriut të komunitetit çam.