Deputeti shqiptar në Beograd: Nëse “Ballkani i Hapur” i përfshin të gjithë, atëherë Serbia nuk dominon dot

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Deputeti shqiptar në Beograd: Nëse “Ballkani i Hapur” i përfshin të gjithë, atëherë Serbia nuk dominon dot

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, thotë se nisma e Ballkanit të Hapur nuk mund të jetë kurrë efektive nëse në të nuk marrin pjesë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. 

“E para, nuk e përkrahin 3 nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, që e bën iniciativën jo të plotë. E dyta, ka të bëjë me Serbinë. Nëse presidenti serb është në mënyrë serioze i përkushtuar për Ballkanin e Hapur, atëherë më duket e kotë iniciativa e njerëzve të afërt të tij për ndërtimin e botës serbe, sepse sipas meje këto janë dy projekte që kundërshtohen mes vetes. Bota serbe do të thotë shtrirjen e ndikimit të Serbisë në territoret ku banojnë serbë.

Ndërkohë që mbyll dyert për komunitetet e tjera që jetojnë brenda territorit të saj. Serbia nuk lejon në Preshevë përdorimin e simbolit kombëtar, ndërkohë që u ka bërë thirrje serbëve në rajon që të valëvisin flamurin shtetëror serb”, tha Kamberi në A2 CNN.

“Pra duhet të na sqarojë, për cilin vizion është Serbia? Të Ballkanit të Hapur, apo botës serbe? Duke përdorur Ballkanin e Hapur si maskim, siç po shohim në Bosnjë-Hercegovinë”.

Advertisement

Kamberi thotë se normalizimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë duhet të reflektojë në relaksim të qasjes së institucioneve shtetërore të Serbisë ndaj Luginës. “Nuk besoj se Ballkani i Hapur duhet të jetë alternativë e integrimit europian. Mungesa e vendeve të tjera e bën nismën gjysmake”, thotë ai.

Sipas tij, largimi i Zaev është sfidë e re që paraqitet për Ballkanin e Hapur, por çështja kryesore mbetet dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, që duhet të përmbyllet me një marrëveshje për njohjen e dy shteteve. “Pavarësisht rolit pozitiv që Shqipëria mund të luajë, Kosova betejën e ka në Kosovë, me shpresën që të arrihet marrëveshja.

Raportet shqiptaro-serbe përkufizojnë të ardhmen e Ballkanit. Mbetet të shpresohet që SHBA-ja t’i rikthehet rajonit dhe ta përmbyllë marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës e Serbisë”, tha Kamberi.

“Pavarësisht shprehjes së Serbisë se dëshirojnë bisedime për Kosovën me Shqipërinë, rruga e Serbisë për Shqipëri kalon nga Kosova dhe nuk mund ta anashkalojnë Kosovën. Besoj se në një Ballkan të Hapur gjithëpërfshirës, pra ku të jenë të gjithë shqiptarët, nuk mund të ketë dominim të Serbisë”.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy