Dëshmi nga SHBA për “Gërdecin”, Mediu: Të flasin me video konferencë. Gjykata: Vetëm me letër porosi

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Dëshmi nga SHBA për “Gërdecin”, Mediu: Të flasin me video konferencë. Gjykata: Vetëm me letër porosi

Për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, marrja e 5 dëshmive të shtetasve amerikanë përmes letërporosivë në procesin e Gërdecit nuk përbën zbardhje të plotë të së vërtetës.

Në seancën e sotme, Gjykata e Posaçme vendosi për deklaratat e amerikanëve, përfshirë këtu edhe atë të Patrick Henry-t, pronarit të kompanisë “SAC” që do kryente demontimin në Gërdec, të mos merren përmes video konferencës. Kjo ka qenë një kërkesë e ekipit ligjor të Mediut, por që nuk u mor parasysh nga gjyqtarja e çështjes, Irena Gjoka.

“Ky proces ka nevojë për t’i shkuar procesit nëpërmjet pyetjeve. Vete kërkuan. Drejtësia amerikane ka ofruar mundësinë që të pyetem nëpërmjet video konferencës. Prokuroria s’po jep asnjë lloj të dhënë të re për procesin. Besoj në gjithë këtë proces mos përgjigja tregon qartë se prokuroria i ka sjellë si dëshmitarët formal pa marrë atë produkt që duhet të kishte procesi për të vërtetën”, tha Mediu.

Po sot, një prej dëshmitarëve kyç në procesin e rinisur të Gërdecit, Mihal Delijorgji, administratori i kompanisë Albademil, refuzoi të japë deklarime.

Advertisement

Ai përfitoi nga e drejta që i jep ligji për të heshtur për sa kohë është i bashkëpandehur në procesin gjyqësor.

Delijorgji është dënuar me vendim të formës së prerë nga Apeli me 6 vjet e 7 muaj burg, por që rifitoi lirinë pak kohë më pas për sjellje të mirë.

Ndërkaq, ish- sekretarja e ish- ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, Anjola Agolli, për të disatën herë vijon të mos paraqitet në gjykatë për të dhënë dëshminë e saj. Në deklarimet e saj të mëparshme Agolli ka pranuar se memoja me shënimin “Për Shkëlzen Berishën” ka dalë nga zyra e saj. Gjykata, në këto kushte kërkon thirrjen e dëshmitares për të dhënë shpjegime.

Në datën 9 prill, kur do të mbahet edhe seanca e radhës, është urdhëruar shoqërimi i detyrueshëm për njërin prej të bashkëpandehurve, Denis Hajdari, me detyrë specialist në Ministrinë e Mbrojtjes, anëtar i komisionit të çmimeve dhe kategorizimeve të municioneve.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy