
Situata e motit të keq vijon të krijojë probleme në disa zona të Lezhës ku nata e së mërkurës solli reshje intensive. Në Tale, niveli në lagunë ka ushtruar presion mbi argjinaturën, e cila është dëmtuar, duke lejuar depërtimin e ujit drejt zonave të banuara.
Çarja e argjinaturës së kënetës ka shkarkuar sasi të mëdha uji në kanalin kullues, duke rritur ndjeshëm nivelin dhe duke vënë në rrezik shumë shtëpi në territorin e Bashkisë Lezhë.
Banorët thonë se ky problem ishte e njohur prej kohësh dhe se segmenti i dëmtuar duhej të ishte forcuar më herët për të shmangur akumulimin e prurjeve
Ndërkohë aksi rrugor Rrëshen–Bukmirë në Mirditë vijon të jetë i dëmtuar rëndë pas reshjeve të fundit, duke u bërë vështirësisht i kalueshëm për automjetet. Në disa segmente janë regjistruar shembje të konsiderueshme.
Reshjet e pandërprera kanë rënduar situatën për disa familje në fshatin Bruç të Matit. Prej dy ditësh uji i është afruar shtëpive, ndërsa ka dëmtuar një pjesë të argjinaturës dhe të rrugës që i lidh me pjesën tjetër të fshatit.
Bashkia e Matit ka kërkuar mbështetjen e ushtrisë e cila disponon mjetet e duhura për ndërhyrjen.
Situatë problematike mbetet edhe në rrugët rurale ku shumë prej tyre kalohen vetëm me mjete të larta.
Ne qarkun e Elbasanit ka patur rënie të gurëve e inerteve në disa akse rrugore: në Elbasan-Q.Thane te kthesat e Murrashit, si dhe aksi Gramsh-Moglice
Në juglindje ndërkohë, fusha e Maliqit është përmbytur në një sipërfaqe preh 70 hektarësh.
Probleme ka patur edhe në rrugën nacionale Maliq-Gramsh, ku për disa orë në afërsi të fshatit Qënskë rruga ka qenë e bllokuar, ndërsa mëngjesin e kësaj të enjteje uji ka depërtuar edhe në disa banesa të fshatit Çiflig.
Përsa i përket problemit të furnizmit me enrgji elektrike aktualisht 1700 familje në qarkun e Korçës janë pa drita pas stuhisë së orëve të fundit.