
Ish-Ambasadori Arben Çejku, kërkoi sot më shumë përgjegjshmëri nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në prag të takimit të tij me Presidentin e Serbisë, A.
Vuçiq në mes të këtij muaji në Bruksel. I pyetur nga TV “ABC News” për qëndrimin e zotit Kurti, i cili tha se ai e konsideron takimin e Brukselit jo si vazhdim të dialogut, por si një takim të parë me Presidentin e Serbisë, Çejku tha se, nuk mund të injorohet investimi ndërkombëtar që është bërë deri tani për dialogun Kosovë – Serbi.
Teza se ky është një fillim dhe jo një vazhdim i dialogut, është paksa e rrezikshme. I pyetur për të sqaruar se cfarë do të thotë Kurti kur ai kërkon që Kosova të jetë palë dhe jo objekt në këto bisedime, Cejku theksoi se është e qartë që Kosova ka qenë dhe mbetet palë në këto bisedime, të cilat që nga fillimi janë refuzuar nga Kurti.
“Kosova ka qenë palë në bisedimet me Serbinë që nga viti 2011…SHBA dhe BE janë përpjekur ta ndihmojnë Kosovën dhe Kosova ka qenë prezente aty si një shtet, që e ka njohur mazhoranca e vendeve demokratike me në krye SHBA. SHBA dhe BE kanë qenë lehtësues të dialogut.
Unë kam frikë se edhe në takimin e radhës në Bruksel , Kurti nuk do të shënojë ndonjë progres…Nuk mund të thuhet se unë do të shkoj në Bruksel dhe do të shoh Vuciqin apo sjelljen e tij etj..Kjo është një lloj adoleshencë diplomatike dhe jo një diplomaci reale. Diplomacia reale e Kosovës është ajo që duhet të marrë parasysh sfidat dhe të shkojë e përgaditur në këtë takim”, tha Cejku.
“Zoti Kurti duhet të marrë në konsideratë rëndësinë e këtij hapi që do të bëhet drejt Brukselit dhe kjo nuk është një vizitë politiko-turistike për të parë se si është Vuciq dhe për të bërë shfaqje si ajo që bëri në samitin e Sigurisë në Mynih. Shteti i Kosovës duhet të ketë unifikim dhe qëndrueshmëri në hapat që bën dhe nuk është e dobishme të injorohen marrëveshjet e arritura dhe gjithë kontributi diplomatik që është dhënë deri më tani për të sjellë Kosovën dhe Serbinë në këtë nivel komunikimi që është tani. Bilanci i marrëveshjeve që janë nënshkruar dhe nuk janë zbatuar nga ana e Serbisë, mund të përdoren nga Kosova si formë presioni për të ecur drejt marrëveshjes finale”.
Duke u ndalur në rolin e Kurtit si udhëheqës I dialogut, Cejku tha se, “Zoti Kurti në hapat që do të ndërmarrë duhet të sillet si një burrë shteti, sepse tani ai nuk është thjeshtë kryetari i një partie politike, por një burrë shteti që ka marrë përsipër për të udhëhequr Kosovën dhe kjo bazohet tek gjithë korpusi marrëveshjeve dhe dokumentave të miratuar nga Kuvendi Kosovës dhe shteti i Kosovës, Ai shkon atje jo për të përfaqësuar vetveten, por Kosovën dhe sfidat e saj”.