
1200 raste të reja diagnostikohen çdo vit me SPOK, një sëmundje që prek mushkëritë, dhe që ka si shkak kryesor duhapirjen.
“Spoku është ngushtim i fluksit të ajrit në rrugët respiratore. Ka dy patologji që përbëjnë këtë sëmundje. Janë rreth 1200 raste të reja cdo vit, me Spok plus Azëm, që i diagnostikojmë ne në Dispanseri, pa përjashtuar spitalet treciare. Gjëja e parë është lënia e duhanit i cili është edhe shkaku kryesor i kësaj patologjie. Gjithashtu ndikojnë pluhurat e ambientit, infeksioni që mund të ketë pasur në fëmijëri”, tha Entela Nako.
Mjekja pneuomologe Entela Nako shpjegon disa nga simptomat më të zakonshme të kësaj sëmundje, e cila nëse nuk trajtohet në kohë mund të çojë deri në invaliditet.
“Është një sëmundje që fillon me kollë dhe me sekrecione, vështirësi në frymëmarrje, lodhje e cila nëse nuk diagnostikohet dhe trajtohet në kohë mund të çoj deri në invaliditet. Zakonisht pacientët me këtë sëmundje janë kryesisht edhe me sëmundje bashkëshoqëruese, të tilla si sëmundje kardiake, sëmundja e diabetit apo sëmundje të muskulaturës”, deklaroi Nako.
Bluzat e bardha apelojnë që diagnostikimi të bëhet që në shfaqjen e simptomave të para, sidomos tek personat mbi 40 vjeç dhe tek duhanpirësit.
“I bëjmë thirrje popullatës të vi dhe të diagnostikohet për këtë sëmundje, sidomos moshat mbi 40 vjeç dhe duhanpirës”, shtoi mjekja.
Sëmundja Pulmonare Obstruktive Kronike renditet si shkaku i tretë kryesor i vdekjeve në mbarë botën./vizionplus.tv