Dita e çlirimit të Tiranës/ Tabaku: 17 Nëntori nuk ka asgjë për t’u festuar!

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Dita e çlirimit të Tiranës/ Tabaku: 17 Nëntori nuk ka asgjë për t’u festuar!

Sot në ditën e çlirimit të Tiranës, deputetja e PD, Jorida Tabaku thotë se nuk ka asgjë për t’u festuar.

Sipas Tabakut, “ndërsa lexon lajmet dhe informacionet e ndryshme që anëtarë të çetave komuniste i dërgojnë kryetarit të tyre mund të kuptosh fare qartë që nuk ka asgjë për të festuar, përkundrazi”.

Mes të tjerash deputetja demokrate thotë se për sa kohë që ne nuk do të shohim të djeshmen me sytë e vërtetë, për aq kohë do të mbushim qytetet me festa të pakuptimta duke glorifikuar atë terror që nuk erdhi nga hiçi por që na qeverisi për 50 vjet.

“17 Nëntori nuk ka asgjë për t’u festuar!
Ndërsa sot daullet e pushtetit përkujtojnë datën e 17 nëntorit si ditën e çlirimit të Tiranës, qytetarët e urtë të saj që kanë parë të ngrihen dhe bien diktatorë e dinë fare mirë se çfarë përjetoi kryeqyteti i vendit 74 vjet më parë. Ndërsa lexon lajmet dhe informacionet e ndryshme që anëtarë të çetave komuniste i dërgojnë kryetarit të tyre mund të kuptosh fare qartë që nuk ka asgjë për të festuar, përkundrazi.
Në një letër të gjatë të drejtuar Enver Hoxhës, Gogo Nushi i shkruante qartësisht se hyrja për në Tiranë ishte shoqëruar me masakra të stilit terrorist ashtu sikundër në fund të ditës do të ishte edhe regjimi që po përgatisnin komunistët. “Këtë shpirt terrorist e kemi parë ditët e fundit në Tiranë. Kjo tregon vijën tonë. Me hyrjen e forcave tona janë vrarë 60 vetë. Listën e kemi. Unë mendoj që asnjë nga ata nuk e meritonte këtë dënim. Jemi të sigurt se do të kemi edhe të tjerë. Numri do të ketë kaluar edhe të 100”.
Tanimë është bërë e udhës që qeveria të kremtojë me venerime dhe entuziazëm data dhe ditë që kanë shënjuar një njollë të zezë në historinë e Shqipërisë. Vrasjet e kryrera në bodrumet e shtëpisë, njerëz të armatosur që qarkullonin me lista në duar ndërsa eleminonin apo zhduknin nga qytetet bij nënash harrohen në këtë ditë. Ndërsa të gjithë enden në vendin ku dikur ngrihej e bukur dhe paqtore ndërtesa e parë në qytetin e Tiranës, xhamia e Sulejman Pashës. E cila u zëvendësua nga një monument pa emër që me piskiamën revolucionare e ngelur përgjysmë dhe me grushtin e ngritur lart evokon revolucionin e madh kulturor ku Shqipëria e qeverisur nga terroristët komunistë prodhoi shtetin e parë Atëist.
Intelektualë dhe njerëz të nderuar si Akil Sakiqi, Lorenc Rasha, Nazmi Uruçi, Hamit Greblleshi, Azis Blloshmi, Kapllan Delialliasi apo dhe tre anëtarë të familjes Kokalari që u pushkatuan në skutat e hotel Bristolit.
Në ditë të tilla, njerëzit reflektojnë mbi të djeshmen e tyre.
Pak javë më parë në botë u përkujtua me përunjësi Nata e Kristaltë, ku sinagogat u dogjën, ku hebrenjtë u persekutuan dhe policët nuk i dhanë ndihmën që prisnin. Ajo natë për to ishte njësoj siç është nata e 17 nëntorit për qytetin e Tiranës. Një errësirë terroriste dhe gjakatare që mbuloi një qytet ku gëlonin mendimet dhe intelektualët. Për ta transformuar befas në një qytet gri të rrethuar nga gjembat në mesin e të cilit ndodhej blloku udhëheqjes.
Këto ngjarje të cilat sot harrohen për të përkujtuar pseudo-patriotizmin e komunistëve prodhojnë pastrimin e vendit nga kundërshtarët ideologjikë. Pikërisht kjo frymë ishte një nga shtytëset e terrorit 50 vjeçar që Enver Hoxha dhe ndjekësit e tij në ideologji dhe bindje vazhduan gjatë gjithë diktaturës.
Për sa kohë që ne nuk do të shohim të djeshmen me sytë e vërtetë për aq kohë do të mbushim qytetet me festa të pakuptimta duke glorifikuar atë terror që nuk erdhi nga hiçi por që na qeverisi për 50 vjet”.

Advertisement

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy