Festivali Kulturor Shqipëri-Izrael, Veliaj: Shtëpitë ku komuniteti hebraik u strehua në Tiranë do të kthehen në muze

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Festivali Kulturor Shqipëri-Izrael, Veliaj: Shtëpitë ku komuniteti hebraik u strehua në Tiranë do të kthehen në muze

Festivali i përbashkët kulturor Shqipëri-Izrael që po zhvillohet në Tiranë ka rikthyer edhe njëherë vëmendjen te mikpritja shqiptare, e cila, sikurse u shkrua në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore me hebrenjtë, po përsëritet me qytetarët afganë sot, të cilët kanë gjetur një strehë të sigurtë në vendin tonë.

 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili së bashku me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, ishin të ftuar nderi në mbrëmjen e dytë të eventit me fokus marrëdhëniet ndërmjet popullit shqiptar dhe atij hebre, u shpreh krenar për mbrojtjen e hebrenjve në vendin tonë përgjatë Holokaustit.

 

Advertisement

“Jam krenar që jam shqiptar kur dëgjoj historinë e një qyteti, – që sot kam unë fatin ta drejtoj, – i cili fillimisht kishte vetëm 200 hebrenj dhe në fund të luftës, në finale të asaj drame të madhe botërore kishte 2 mijë të tillë. Më vjen mirë, që, edhe në ditët e sotme ne jemi besnikë të kësaj historie. Kur mendoj për muxhahedinët që erdhën nga Irani dhe i rezistonin regjimit të Ajatollahëve ekstremistë në Iran, fillimisht në Tiranë për t’u zhvendosur diku tjetër, për miqtë, kolegët, partnerët që erdhën nga Afganistani fillimisht në Tiranë dhe pastaj për t’u zhvendosur diku tjetër, realisht më bën të ndihem krenar,” tha Veliaj.

 

Kryebashkiaku ka shprehur mirënjohjen e tij për popullin mikpritës shqiptar.

 

Advertisement

“Nuk ka rëndësi nëse kanë qenë vëllezërit dhe motrat tona nga Izraeli hebraik në vitet e Luftës së Dytë Botërore, apo se ishin ata 3 mijë muxhahedinë që lëvizën nga kampi “Liberty” në Irak prej sulmeve të Ajatollahëve, radikalëve të Iranit, apo nëse ishin vëllezërit dhe motrat afganë që vrapuan për strehë, për mbrojtje, për jetë, nga reja e zezë e talebanit që erdhi në Afganistan, për sa kohë që ne njihemi për këta samaritanë të mirë, është gjithmonë një ditë e mirë për të qenë shqiptar,” deklaroi ai, duke shtuar se, janë identifikuar tashmë nga Bashkia edhe disa nga shtëpitë kryesore ku komuniteti hebraik është strehuar në Tiranë, të cilat do të kthehen në shtëpi muze.

 

Edhe ambasadorja Yuri Kim u shpreh e befasuar nga ky virtyt i mikpritjes shqiptare.

 

Advertisement

“Ka shumë gjëra që thuhen për shqiptarët dhe për Shqipërinë, por, për mua, më e vërteta ndër to është ajo që thuhet për shqiptarët dhe për Shqipërinë të cilët janë njerëz të mikpritjes dhe të kurajës. Sa herë që dikush është në nevojë, shqiptarët janë të gatshëm të ofrojnë dorën e ndihmës. Ata e bënë këtë përgjatë Luftës së Dytë Botërore. Ata e ribënë tani. Në situatat kur bota kalon në momente kur duhet të mbajë shënime, shqiptarët janë të gatshëm të ofrojnë bukë, kripë dhe zemër. Jam vërtet shumë krenare që ndodhem në mesin tuaj, por gjithashtu e di, si një qenie njerëzore nëse do rastis ndonjëherë të jem në vështirësi, vendin ku mund të vij të strehohem, do vij në Shqipëri. Mendoj që këto janë mësime që duhet t’i mësojë bota nga një vend kaq i vogël. Është një vend i vogël me zemër kaq të madhe,” u shpreh diplomatja amerikane.

 

Në mbrëmjen e dytë të Festivalit Kulturor Shqipëri-Izrael 2021, i cili po zhvillohet në Tiranë nga data 12 deri në 21 shtator, u shfaq për herë të parë edhe dokumentari “Kodi Shqiptar”.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy