Financim shtesë për spitalet, Manastirliu: Modernizojmë infrastrukturën dhe rrisim cilësinë e shërbimimit

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Financim shtesë për spitalet, Manastirliu: Modernizojmë infrastrukturën dhe rrisim cilësinë e shërbimimit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka bërë me dije vendimin e qeverisë shqiptare për marrëveshjen e huasë mes Shqipërisë dhe Bankës Botërore, për financimin shtesë në sistemin shëndetësor, me qëllim modernizmin dhe rritjen e standardit për shërbimet shëndetësore në spitalet universitare, rajonale e bashkiake.

“Sot qeveria shqiptare ka miratuar një projektligj të rëndësishëm për marrëveshjen e huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin shtesë të projektit “Për përmirësimin e sistemit shëndetësor” në vlerën 25 milionë euro. Është një projekt i cili vjen në kohën e duhur pasi ne jemi në një reformë të rëndësishme të sistemit shëndetësor. Një reformë e cila do të fillojë implementimin e saj menjëherë pas miratimit nga Kuvendi i Shqipërisë të ligjit “Për kujdesin spitalor në Republikën e Shqipërisë” ku pjesë e këtij ligji është gjithashtu dhe modeli i ri i autonomisë spitalore. Një model i cili do të sjellë një përmirësim të efiçencës së shërbimeve për qytetarët dhe pacientët në spitalet tona”, tha Manastirliu.

Duke folur për investimet në Shëndetësi Manastirliu nënvizoi:

 

Advertisement

“Edhe pse në një periudhë të vështirë, tërmetit, pandemisë gjithashtu, ne nuk i kemi ndalur investimet në shëndetësi. Ne kemi bërë të mundur që të vazhdojë kantieri i shëndetësisë dhe të finalizojmë projekte të rëndësishme të infrastrukturës spitalore, sikurse Materniteti i Lezhë, Materniteti i Beratit, struktura të cilat kanë përfunduar në vitin e fundit dhe të cilat janë vënë në funksion për kujdesin e shërbimti ndaj nënës dhe fëmijës. Vijojmë projekte të rëndësishme sikurse është spitali i ri i sëmundjeve të brendshme. Kemi nisur projektin për rehabilitimin e spitalit infektiv i cili po ecën në mënyrë intensive me punimet në këtë spital. Përfunduam spitalin pediatrik fazën e parë në QSUT. Kemi përfunduar spitalin pediatrik të Durrësit. Javën tjetër çelim sërish një spital të rehabilituar me buxhetin e shtetit, spitalin pediatrik të Elbasanit”, tha Manastirliu.

Financimi shtesë në vlerën 25 milionë euro për Projektin e Përmirësimit të Sistemit Shëndetësor në Shqipëri, do të mundësojë përshkallëzim të mëtejshëm të aktiviteteve të projektit mëmë dhe do të sigurojë ndikim të drejtpërdrejtë tek përfituesit dhe përmirësim të mëtejshëm të ofrimit të shërbimit të kujdesit spitalor në vend. Financimi do të mbështesë më tej reformën spitalore që rrjedh nga Masterplani i Spitaleve, si një parakusht për racionalizimin e nivelit dytësor të kujdesit shëndetësor në Shqipëri dhe përmirësimin e mëtejshëm të efikasitetit dhe përmirësimit të cilësisë së spitaleve.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy