
Kur regjimi i diktatorit të ardhshëm serb Sllobodan Millosheviq vendosi të shkatërrojë Jugosllavinë me idenë që mbi rrënojat e saj të ndërtojë një Serbi të Madhe, Perëndimi ishte i hutuar.
Shumë politikanë dëshironin ta ruanin Jugosllavinë. I madh ishte edhe numri i gazetarëve perëndimorë që Jugosllavinë e shihnin si njëfarë “Zvicre socialiste”.
Johann Georg Reissmüller nuk besonte në përralla të tilla. Si njëri nga kryeredaktorët e “Frankfurter Allgemeine Zeitung” ai e njihte Jugosllavinë mirë. Në fund të viteve 60-të kishte qenë korrespondent në Beograd. Kishte shkruar edhe një libër për Jugosllavinë.
Ndërsa gazetarë të tjerë s’bënin dallimin mes agresorit dhe viktimës, Johann Georg Reissmüller ishte qartë në anën e viktimave: sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve. Reissmüller i quante udhëheqësit serbë shtypës dhe pushtues.
Nga gushti i vitit 1991 ai s’dëshironte të përdorte më toponimin “Jugosllavi”. Në komentet e tij ai atakonte ushtrinë jugosllave të shndërruar në ushtri pushtuese serbe, shërbimin sekret KOS dhe çetnikët. Në vitin 1990 dhe 1991 Johann Georg Reissmüller shkroi rreth 130 artikuj në favor të pranimit të pavarësisë së Sllovenisë dhe Kroacisë.
Një diplomat gjerman i asaj kohe ka thënë se komentet e Johann Georg Reissmüllerit e patën lodhur aq shumë Helmut Kohlin, saqë ai dikur u dorëzua dhe tha se Gjermania do ta pranojë pavarësinë e Sllovenisë dhe Kroacisë. Kjo ndodhi në dhjetor 1991.
Reissmüller e akuzonte sidomos ministrin e Jashtëm Hans-Dietrich Genscher se dëshironte ta ruante Jugosllavinë. Bashkëkohësit thonë se shkrimet e Reissmüllerit e “patën çmendur Helmut Kohlin”. Reissmüller ishte përkrahës i madh i të drejtave të boshnjakëve dhe shqiptarëve të Kosovës.
Kryeministri i Kosovës në ekzil Bujar Bukoshi është me gjasë ndër politikanët e paktë (në mos i vetmi) që e ka takuar Johann Georg Reissmüllerin.
Kritikët e tij ishin të shumtë – prej botuesit të “Der Spiegel” Rudolf Augstein deri te disa gazetarë të “Die Zeit” të Hamburgut.
Por në fund të gjithë mbetën me gishta në gojë – dhe Johann Georg Reissmüller doli fitimtar. Beogradi kishte premtuar një shpërblim me para për vrasjen e tij. Vdiq në vitin 2018, në moshën 86-vjeçare. (E.Robelli)