Giorgia Meloni nesër në Shëngjin, inspekton qendrat e pritjes së emigrantëve bashkë me kryeministrin Rama

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Giorgia Meloni nesër në Shëngjin, inspekton qendrat e pritjes së emigrantëve bashkë me kryeministrin Rama

Të mërkurën Edi Rama do të presë Giorgia Melonin jo në zyrën e tij, por në Shëngjin. Në ardhjen e tretë në vendin tonë arsyeja e vizitës së kryeministres italiane është ecuria e punës për ndërtimin e strukturave në Lezhë dhe Gjadër për strehimin e përkohshëm të emigrantëve të paligjshëm që kapen në brigjet e fqinjit.

Në mesditën e 5 qershorit dhe të dy bashkë Giorgia Meloni dhe Edi Rama do të  këqyrin dy zonat ku do të qëndrojnë emigrantët e paligjshëm dhe se në cilën fazë është ndërtimi i qendrës që do të bëjë identifikimin dhe më pas të kampeve.

Në agjendë është parashikuar edhe një dalje e dy kryeministrave para mediave.

Në nëntorin e kaluar dy kryeministrat firmosën protokollin e bashkëpunimit për çështjet e emigracionit. Ai parashikon që emigrantët e shpëtuar në detin Mesdhe të dërgohen në Shqipëri.

Advertisement

Në këmbim të kësaj ndihme që qeveria e Tiranës po i jep asaj të Romës për të përballuar emigracionin e paligjshëm, të gjitha shpenzimet nga ndërtimi i qendrave të pritjes e deri te siguria, kujdesi shëndetësor dhe çdo nevojë tjetër do të financohen nga shteti italian.

Vendet e ndërtimit janë hapur por punimet për strukturat pritëse po ecin ngadalë. Objektivi ishte që të hapeshin në maj por kjo nuk ndodhi. Mediat italiane shkruajnë se vjeshta është periudha më e mundshme që kampet të jenë gati për të strehuar 3 mijë persona në të njëjtën kohë dhe vetëm burra të rritur.

Sipas marrëveshjes, në fuqi për 5 vjet dhe e rinovueshme për 5 të tjera, toka është dhënë pa pagesë, por Italia do të depozitojë në thesarin e shtetit shqiptar 16.5 milionë euro si paradhënie për strehimin e përkohshëm të emigrantëve.

Ardhja e Girogia Melonit në Shqipëri përkon me javën kulturore italiane në vendin tonë por edhe në prag të zgjedhjeve për deputetët e rinj të parlamentit evropian e ku lufta me emigracionin e paligjshëm është një prej çështjeve kryesore të Bashkimit Evropian./vizionplus.tv

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy