Greqia, me sytë nga turizmi

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Greqia, me sytë nga turizmi

Në ishullin grek të Rodos, sektori i hoteleri-turizmit, i goditur rëndë nga pandemia Covid-19 gjatë vitit të fundit, ka nisur përgatitjet për këtë sezon veror, duke bërë rregullimet e fundit për të pritur turistët vendas dhe të huaj. Edhe pse sezoni zyrtarisht do të nisë më 14 maj, prej 19 prillit, pavarësisht karantinës, vendi është hapur për udhëtarët nga vendet e Bashkimit Europian, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Serbia, Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Të gjithë këta turistë të huaj do të mund të udhëtojnë drejt Greqisë, pa patur nevojë që të karantinohen kur të mbërrijnë apo kthehen prej andej, kjo nëse provojnë përmes testit një rezultat negativ apo nëse janë vaksinuar tashmë.

George Tselios, menaxher hoteli, shprehet: “Siç e shihni, është një rutinë ditore. Po përgatisim që hoteli të jetë gati në nisje të sezonit, pasi qeveria na dha dritën jeshile. Përgatitjet nuk kanë ndaluar prej muajsh. Presim që protokolli final të ndiqet nga të gjithë, edhe nga turistët, por ne jemi gati”.

Në ishullin e Rodos, në të cilin sezoni turistik nis në mars deri në fund të tetorit, pronarët dhe menaxherët e hoteleve tashmë kanë nisur punën për rregullimet e shërbimit hotelier e duke vendosur shezlongët në bregdet. Në resortet luksoze, ende nuk ka jetë. Ajo çka pamjet të ofrojnë është qetësia, rëra dhe një vijë bregdetare e boshatisur. Baret pranë pishinave dhe detit janë bosh, bashkë me dyqanet dhe tavernat, që zakonisht në këtë periudhë janë të tejmbushura.

Shumica prej këtyre bizneseve janë mbyllur që prej fillimit të pandemisë, në vitin 2020. Gjatë vitit të shkuar, vetëm 7,4 milionë turistë vizituan Greqinë, në rënie të frikshme nga 31,3 milionë turistë të huaj gjatë 2019-s.

Advertisement

Për Greqinë, turizmi është sektori jetik për vendin, që vitin e shkuar shënoi rënie të jashtëzakonshme, duke u tkurrur në vetëm 5% të PBB, që përkthehet ndryshe në rritje të papunësisë apo më saktë me 1 në 5 persona të punësuar. Si shumë ishuj, edhe Rodos varet vetëm nga turizmi.

Autoritetet në Greqi mendojnë se këtë vit, shpresat për rimëkëmbjen e ekonomisë janë vetëm tek turizmi dhe në rritje mund të arrihet vetëm përmes testimit masiv të popullsisë, vaksinimit të vizitorëve dhe punonjësve të hoteleri-turizmit.

Gjatë vitit të shkuar, vetëm gjysma nga 650 hotelet e Rodos u hapën në pandemi. Sipas të dhënave zyrtare, numri i vizitorëve vendas e të huaj arriti në vetëm 600 mijë gjatë 2020-s, në rënie të ndjeshme nga 2,2 milionë të një viti më parë. 

Presidenti i Shoqatës së Hotelierëve në Rodos thotë se deri tani prenotimet janë të pakta dhe ai shpreson që në vijim të ketë prenotime të minutës së fundit: “Prenotimet në booking janë shumë të ngadalta. Shumica prej tyre janë për muajt gusht, shtator e tetor dhe ne shpresojmë që turistët që do të na vizitojnë, do jenë ata të minutës së fundit. Kjo sepse vizitorët duan të sigurohen deri në fund se do mund të udhëtojnë”.

Advertisement

Sipas tij, plani është që deri në mesin e muajit maj, të mund të hapet 20-30% e hoteleve të ishullit.

Teksa Greqia po raporton shifra gjithnjë e në rënie të rasteve të reja ditore apo edhe viktimave javët e fundit në krahasim me Europën, një valë e re infeksioni në kontinent ka rikthyer karantinën në disa shtete, që kanë vendosur edhe kushte përpara udhëtimit drejt një vendi të huaj, mes tyre edhe Greqia.

Në Greqi, shumë biznese varen tashmë vetëm nga paketa e ndihmës nga shteti dhe nuk mund të përballojnë një tjetër verë të humbur. Mes tyre është edhe biznesmeni Giannis Chalikias, i cili menaxhon 9 biznese në Rodos, përfshirë këtu restorant, akomodim apo argëtim. Thotë se stafin e ka pezulluar prej verës së shkuar dhe shpreson që ky vit të rikthejë normalitetin:

“Duhet të mbështetemi tek ndihma e shtetit, tek këshillat dhe protokolli i tyre. Stafi është pezulluar deri në nisje të sezonit veror dhe shpresojmë të mirëpresim turistë sa më parë, që të mund të rikthehemi në normalitet. Po tregojmë durim, duhet të presim që njerëzit të vaksinohen ditë pas dite, që të arrijmë përqindjen e kërkuar, që të mund të operojmë dhe të kemi një sezon normal”.

Advertisement

Pronari i hotel “Blue Sea”, Ioannis Hatzis, thotë se muajt në vijim do të tregojnë nëse Rodos do të arrijë të triumfojë këtë verë apo jo: “Nëse deri në qershor do të vazhdojë vaksinimi me këto ritme, them se në korrik, Covid-19 do të jetë e shkuara. Por, nëse kjo nuk ndodh, atëherë do të hyjmë në një ambient të panjohur dhe për biznesin tonë, do të jetë shumë e vështirë”.(A2)

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy