Hapet kopshti i ri “Buzëqeshja e Artë” në Kodër-Kamëz, Veliaj: “Rritja e kërkesës për regjistrime, kompliment për punën tonë; pas 40 shkollave të reja, hapëm edhe 9 të tjera”

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Hapet kopshti i ri “Buzëqeshja e Artë” në Kodër-Kamëz, Veliaj: “Rritja e kërkesës për regjistrime, kompliment për punën tonë; pas 40 shkollave të reja, hapëm edhe 9 të tjera”

“Buzëqeshja e artë” është kopshti më i ri i hapur në Kodër-Kamëz, cili këtë javë priti 180 fëmijët e parë. Pjesë e kompleksit shkollor “Nënë Tereza”, godina e re me infrastrukturë moderne arsimore, ofron kushte dhe standarde të njëjta për vogëlushët, si ato të kopshteve në qendër të Tiranës.

 

Kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili së bashku me kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, përuruan ambientet e reja të kopshtit, u shpreh se kjo është një nga hapësirat më të mëdha për fëmijët në Tiranë. “Kush do e kishte menduar se në Kodër-Kamëz do të kishim një mega shkollë me dy emra të mëdhenj: 9-vjeçaren “Nënë Tereza” dhe gjimnazi “JF. Kennedy”. Më vjen mirë që qershia mbi tortë e këtij kampusi të jashtëzakonshëm, dikur i zaptuar, është ky kopësht me emrin “Buzëqeshja e Artë”. Unë e di që ka plot cinikë që vënë bast kundër Tiranës, por ju them se e kanë të humbur. Tirana e fiton gjithmonë bastin! Kamza e fiton gjithmonë bastin! Sepse puna jonë e përbashkët fiton gjithmonë. Kush vë bast kundër suksesit të gjeneratës së re, është i destinuar të humbasë. Dikush që s’di të bëjë asnjë punë, thjesht duhet të pushojë”, u shpreh Veliaj.

 

Advertisement

Ai shtoi se kërkesat për regjistrime në kopshte dhe çerdhe janë shumëfishuar si asnjëherë më parë, pikërisht për shkak të standardit të vënë me godinat e reja të ndërtuara në kryeqytet. “Sot kemi 7-8 herë aplikime më shumë. Në njëfarë mënyre, jemi bërë ‘viktimë’ të suksesit tonë! Sa më cilësore është bërë puna, aq më shumë është rritur kërkesa. Por, ky është edhe komplimenti më i madh që i është bërë Bashkisë së Tiranës. E marr edhe si kritikë, pra se duhet të kishim bërë jo tre herë dhe katër herë më shumë, por 7-8 herë më shume kopshte e çerdhe, por e marr edhe si frymëzim që në këtë mandat të shtojmë masivisht një nga shërbimet, që njerëzit e kanë certifikuar, duke na besuar në masë dhe duke sjellë shumë më shumë aplikime seç ka hapësira”, vijoi më tej kryetari i Bashkisë.

 

Veliaj tha se ashtu si një vit më parë u hapën 40 shkolla të reja, edhe këtë vit shkollor janë shtuar 9 godina shkollore, si dhe disa kopshte e çerdhe të reja. “Hapim një paketë me 9 shkolla të tjera: Shkolla “Lekë Gjiknuri”, shkolla “26 Nëntori”, shkolla “Xhezmi Delli”, shkolla “Asim Vokshi”, shkolla “Besnik Sykja”, shkolla “Bedri Llagami” në Vaqarr, gjimnazi “Partizani”, ku jemi në ditët e fundit të punimeve, presim mobilimin, shkolla “Musine Kokalari” dhe shkolla “Emin Duraku”, për të cilën dua të informoj prindërit e shqetësuar me të drejte, se më në fund është zgjidhur ngërçi i ndërtimit pa leje. Do të hapim edhe disa kopshte të reja këtë vit,” deklaroi ai.

 

Advertisement

Veliaj falenderoi edhe njëherë punonjësit e policisë, të cilët javën e parë të shkollës kanë punuar që Tirana të mos kishte trafik, por edhe prindërit që iu bashkuan thirrjes për të çuar fëmijët në këmbë. “Falënderoj Policinë e Shtetit, Policinë Rrugore dhe Policinë Bashkiake për javën më cilësore në nivelin e qarkullimit dhe komunikimit të trafikut. Dua t’i falënderoj me gjithë zemër sepse kanë bërë një punë heroike. Dua të falenderoj edhe ata 170 mijë prindër që zgjodhën të marrin fëmijët për dore dhe jo me makinë, sepse donin që të ishin pjesë e zgjidhjes, jo pjesë e problemit. Kemi pasur javën ku çdo gjë ka shkuar fjollë dhe nëse do të vazhdojmë keshtu, do të kemi një vit të mbarë, ku fokus do jenë fëmijët që të kapin orën e parë”, tha Veliaj.

 

Në fund ai vlerësoi faktin se Tirana, edhe sipas shifrave, ishte qarku që ka pasur bumin më të madh turistik gjatë këtij viti.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy