Hekurudha Durrës-Prishtinë: BE ofron financimin, Shqipëria e Kosova duhet të dijnë “t’i mbushin mendjen”

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Hekurudha Durrës-Prishtinë: BE ofron financimin, Shqipëria e Kosova duhet të dijnë “t’i mbushin mendjen”

Bashkimi Europian synon të financojë me prioritet miliarda euro në projektet në infrastrukturë dhe ndërlidhje në Ballkanin Perëndimor, si pjesë e paketës prej 30 miliardë eurosh, që Brukseli ka vënë në pjatë për rajonin.

Financimi do të ofrohet në formë kredish të buta dhe grante brenda shtatë viteve të ardhshme. Objektivi është lidhja me rrugë dhe hekurudha mes gjashtë kryeqyteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Plani synon ndërlidhjen me rrugë dhe hekurudha të të gjitha kryeqyteteve të rajonit me njëri-tjetrin dhe më pas me Bashkimin Europian”, tha Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi gjatë fjalës së mbajtur në kuadër të nismës së Komisionit Europian, “Global Gateway”.

Nëse do të jenë në gjendje që të bindin Brukselin me projektet e dorëzuara, Shqipëria dhe Kosova mund të përfitojnë nga këto fonde për të përfunduar “Rrugën e Kombit” dhe mbi të gjitha për të financuar projektin e kushtueshëm të lidhjes me hekurudhë të Durrësit dhe Prishtinës.

Advertisement

Projekti mbetet një ide e hershme, por që për shkak të kostos është anashkaluar nga politika në të dyja anët e kufirit. Në mbledhjen e fundit të dy qeverive, të mbajtur më 26 nëntor në Elbasan, ndërlidhja me hekurudhë u soll si projekt që duhet shqyrtuar nga grupet e punës.

Komisioneri i Zgjerimit solli si shembuj “Korridorin Blu”, një projekt që nis nga Kroacia në veri, vazhdon në Bosnje, Mal të Zi, Shqipëri dhe përfundon në Greqi dhe projektin e “Autostradës së Paqes”, që lidh Prishtinën me Beogradin në veri dhe me Tiranën në Jug.

Në të dy këto projekte disa segmentë kanë përfunduar, ose janë në fazë të përparuar punimesh, si “Rruga e Kombit”, apo segmenti kroat i “Korridorit Blu”.

Një pjesë e mirë e parave do të jepen edhe për projekte ndërlidhëse nën infrastrukturën energjitike, për modernizimin e rrjeteve ekzistuese dhe ndërtimin e linjave të reja të interkonjeksionit.

Advertisement

BE vlerëson se këto investime janë të domosdoshme që vendet e Ballkanit Perëndimor të përmbushin objektivat drejt energjisë së pastër dhe të kenë akses në tregje të sigurta energjitike, larg influencës së vendeve të treta, në këtë rast Rusisë.

Shifra prej 30 miliardë eurosh vlerësohet si e mjaftueshme në këto objektiva të BE-së, ndërkohë që ajo përbën rreth 30 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy