
Ejona Merlika, nxënëse e gjimnazit “Gjergj Canco”, synon të bëhet programuesja e së ardhmes.
Ajo tregohet e vendosur të ndjekë pasionin e saj për teknologjinë, duke shpjeguar se çfarë e shtyu drejt këtij profesioni.
“Të jep mundësinë për të krijuar pajisje të reja elektronike, të formatosh, të krijosh programe vetë, të hap shumë dyer në tregun e punës në të ardhmen, të gjitha këto që ti përfshin elektronika dhe TIK në përgjithësi”, u shpreh Ejona Merlika.
Ajo thekson se vit pas viti është rritur ndjeshëm numri i vajzave që zgjedhin drejtime profesionale të tilla.
“E lobojnë fort pjesën për barazinë gjinore, që nuk ka diferencim në bazë të gjinisë. Duke parë që vitet e fundit teknologjia te vajzat është përhapur shumë, është edhe një mundësi shumë e mirë për të gjitha. Ka degë të elektroteknikës ende të mbipopulluara me djem, por ka edhe vajza që synojnë, që e kanë zgjedhur që në gjimnaz pjesën e TIK-ut.”
Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë vitit 2024 janë regjistruar 2,616 vajza në arsimin profesional, duke përbërë 16.9% të numrit total të nxënësve. Krahasuar me një vit më parë, kur përqindja ishte 16.3%, vihet re një rritje e lehtë, që tregon prirjen në rritje të vajzave për t’u përfshirë në fusha teknike.
/vizionplus.tv