
Në Bashkinë e Maliqit deri më tani janë depozituar 92 kërkesa nga qytetarët për të përfituar nga “Paketa e Maleve”, një nismë e qeverise që synon ringjalljen ekonomike të zonave malore përmes përdorimit të tokave të pashfrytëzuara.
“Në fazën e parë japim vetëm emrin dhe mbiemrin, koordinatat përkatëse, kohën e posedimit të tokës dhe një ide të përgjithshme për biznesin që duan të zhvillojnë, qoftë ajo një bujtinë apo agroturizëm. Ka ide të ndryshme në bazë të aplikimeve që janë bërë. Kemi kryer hartëzimin e zonave zhvillimore të territorit dhe ia kemi dërguar Ministrisë së Pushtetit Vendor për miratim,” – shprehet kryetari i Bashkisë së Maliqit.
Sipas kryebashkiakut, për të përfituar nga kjo skemë, qytetarët duhet të jenë përdorues të tokës dhe të aplikojnë në portalin zyrtar, ndërsa procesi i aplikimeve vijon të jetë i hapur.
“Aplikimet vazhdojnë të jenë të hapura, edhe pse ne kemi dërguar hartëzimin e zonave zhvillimore. Kemi qenë të kujdesshëm në përzgjedhjen e tyre, për të bërë të mundur që çdo i interesuar të ketë mundësi të aplikojë në një moment të dytë. Pasi ministria të miratojë hartën e zonave të selektuara, do të hapet një portal i dytë, ku kërkohet plani i biznesit dhe dokumentacioni përkatës.”
Topçiu ka bërë me dije se “Paketa e Maleve” parashikon regjistrim të thjeshtuar për poseduesit që nuk janë pronarë ligjorë, si dhe dhënie prone me çmim simbolik prej 1 euro për ata që paraqesin plan zhvillimi dhe marrin lejen përkatëse.
“Të gjitha dokumentet që do të hidhen do të shpallen pranë zyrave të bashkisë apo njësive administrative, për të parë nëse ka mbivendosje nga pronarë të tjerë. Nëse më vonë rezulton që një pronë, për të cilën është dhënë leje biznesi, ka pronar tjetër, atëherë të gjitha përgjegjësitë i merr shteti për të mbuluar gjithçka.”
Aplikimet kanë ardhur nga të gjitha njësitë administrative të bashkisë, kryesisht për bujtina, lokale, si dhe për mbjellje siperfaqesh me arre, gështenja dhe lajthi.
/vizionplus.tv