Ende pa nisur, seanca plenare është shoqëruar me tensione të krijuara nga opozita. Ish-kryeministri, Sali Berisha është përplasur me punonjësit e Gardës, duke tentuar të bllokojë foltoren. Deputetët kanë grumbulluar edhe në këtë seancë ulëset, duke krijuar kaos në parlament.
Berisha e konsideroi parlamentin si një repart ushtarak, ndërsa masat e marra nga Garda, sipas tij reflektojnë frikën e kundërshtarit. Në të njëjtën kohë, Berisha u shfaq i vendosur për të vijuar atë që ai i referohet si aksion opozitar, duke paralajmëruar edhe protesta.
“Në një repart ushtarak, parlamentin sot ditën e një beteje pa kthim të opozitës në mbrojtje të interesave jetike të kushtetutës. Kush është ky më thoni pak. Çfarë frikacakut. Vjen një orë para, siç erdhi do të ikë, largohet. Aksioni do të jetë i fuqishëm dhe ju do të jeni dëshmitar të një aksioni që synon mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të popullit opozitar në parlament. Tani ai në këtë mënyrë siç e ka filluar me 10 makina mbrapa, do të përfundojë me një autokolonë, njëlloj si Kim Jong Un, por është i pashpresë. Ju ishit vetë vetë dëshmitarë se si erdhi në parlament”, tha ai.
Ndonëse këtë të hënë duhej të ishte në seancën gjyqësore, Berisha pohoi se ka zgjedhur të marrë pjesë në atë parlamentare.
“Sot unë jam paraqitur në parlament. Nuk mund të pranoj kurrë përvetësimin që i bën parlamentit Edi Rama. Ai është një urdhër i Edi Ramës i lëshuar nëpërmjet mercenarëve të inkriminuar, siç është Arben Kraja, i cili qëndron në detyrë në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit të prokurorisë, që e nxjerr jashtë si ish-oficer sigurimit. Ua tregova unë dokumentin, ajo që fshihet prapa krimit, Irena Gjoka, e cila fshihet prapa krimit, dhe së fundi njeriu me lidhjet më obskure me Taulant Ballën. Pra ata janë shërbëtorë të mjerë që zbatojnë urdhëra të Edi Ramës dhe i marrin pushtetin parlamentit. Sepse ai është pushtet i parlamentit, vendimi për të autorizuar organet e drejtësisë, është pushtet parlamenti, por Edi Rama nuk njeh ligj dhe moral, ja sepse ne jemi në betejë pa kthim”, tha ai.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i tij ligjor, Genc Gjokutaj pritet të ankimojë masën e sigurisë që SPAK ka caktuar ndaj ish-kryeministrit, lidhur me aferën e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.