Kodër pas bregu: Tri ecje në kodrat e Kosovës

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Kodër pas bregu: Tri ecje në kodrat e Kosovës

Nga Enver Robelli

Kosova përjetohet më së miri duke ecur më këmbë. Tre shembuj nga viti 2021

1. Në Majën e Lubotenit – ose: kurrë mos e nënçmoni një bari

Në mëngjesin e një të shtunje të muajit gusht, fiks në orën 06:30, Maja e Lubotenit nuk dukej fare nga autostrada që e lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut. Luboteni ishte mbështjellë me re e mjegull, përzier me riga shiu. Nëse Zvicra e ka si ikonë kodrën e Matterhornit (ajo kodra që ilustron gati çdo çokollatë zvicerane!), Rrafshi i Kosovës ikonë dalluese e ka Lubotenin. Me 2498 metra lartësi mbidetare kjo kodër ka përmasa helvetike.

Ndërsa në restorantin “Bulica” afër fshatit Strazhë çaji i kamomilit ftohej ngadalë për t’u bërë i pijshëm, rigat e shiut pushonin së rëni. Në hyrje të restorantit valonin dy flamuj: i Kosovës dhe i Zvicrës. Nuk e thonë kot zviceranët se Kosova është kantoni i 27-të i Zvicrës. Ndoshta pronari është mërgimtar.

Advertisement

Përballë restorantit bien në sy katër buste: Osman Luma, i lindur më 1971, i rënë më 8 mars 1999, Raif E. Koraqi, i lindur më 1954, i rënë më 8 mars 1999, Qani M. Luma, i lindur më 1976, i rënë më 8 mars 1999, Murat Xh. Lika, i lindur më 1975, i rënë më 8 mars 1999. Të gjithë të rënë për lirinë e Kosovës brenda një dite të vetme. Ëndrrat e tyre u këputën përjetësisht, që ëndrrat e të tjerëve të bëhen realitet. Lavdia e trimëria e tyre qëndrojnë si hije krenare mbi kodrat e Sharrit, mbështjellë me mjegull.

Një erë e lehtë mëngjesi i shtynte retë herë andej e herë këndej. Ka njerëz që përtojnë të ecin nga restoranti “Bulica”, ku fillon shtegu për t’u ngjitur në Majën e Lubotenit. Vazhdojnë me vetura deri mbi stanet nën Luboten.

Ne, unë dhe bjeshkatari e shoku i mirë Granit Temaj, vendosëm të ecnim. Graniti po ngjitej për herë të tetë në Luboten. Unë për herë të parë. Një ëndërr e ngahershme u bë realitet. Moti ishte i jashtëzakonshëm: një freski që të shtynte jo të ngjitesh, por të vraposh shtegut përpjetë. Nëpër lisa disa entuziastë të natyrës kishin shkruar me shkronja të mëdha “MOS”, domethënë: mos e prek lisin. Te stanet e Lubotenit ishte vendosur një tabelë: “Ju lutem, mbajeni hapësirën të pastër!”. Mbi të kryqi zviceran dhe shënimi “Schweizerische Eidgenossenschaft” (Konfederata e Zvicrës), Agjencia për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC ose Deza, siç e njohim në Zvicër.

Pak më tutje një kope e madhe me dele dhe në krye të tyre një bari. “Po të kisha më shumë kohë kësaj radhe, do ta shoqëroja këtë bariun një ditë të tërë dhe do të shkruaja një tekst të gjatë”, po i thosha Granit Temajt. Prisja se bariu do të më fliste për jetën e tij, hallet, ëndrrat, rrezikun nga ujqit.

Advertisement

Bariu na u prezantua: “Jam Hajredin Deda”. Llafi e nxjerr llafin dhe kur Hajredinit i tregova se pjesën më të madhe të vitit e kaloj në Zürich, ai tha: “Kam jetuar në Rosenheim të Gjermanisë”. Rosenheimi është një qytezë në landin e Bavarisë, afër kufirit me Austrinë. Fjala Rosenheim ma ndezi kureshtjen. Dhe Hajredini filloi të flasë: “Jam nga kjo zonë, nga fshati Doganaj. Kam kryer një shkollë ushtarake në Beograd. Kur gjendja në Kosovë u bë e padurueshme në fund të viteve ‘90, u arratisa në Gjermani. Në fshatin e lindjes lashë gruan shtatzënë. Kur nisi lufta, u ktheva dhe u bëra ushtar”.

Në këtë çast Hajredini nxori telefonin dhe më tregoi një incizim të agjencisë amerikane të lajmeve AP, ku ai, Hajredini vetë, shihej bashkë me ushtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në një autobus, diku në Shqipëri, duke shkuar drejt veriut. Hajredin Deda tregoi se ka luftuar në Pashtrik. Pas luftës u kthye sërish në Gjermani, por azilin nuk e fitoi. Erdhi (apo u kthye) në Kosovë. Sot është bari. Dukej njeri i lumtur.

Një leksion nga kjo bisedë: kurrë mos e nënçmoni një bari pa folur me të. “Më duhet të shkoj se më ikën delet”, tha Hajredini dhe u largua me hapa të lehtë.

Pak më lart një njeri doli nga tenda, ku kishte fjetur, na ofroi çaj, por ne ishim të zënë duke ushqyer me biskota dy qen që dukeshin tepër të uritur. Burri tregoi se çdo vit del e fle në tendë rreth dy javë me radhë. Larg njerëzve, larg zhurmës. Edhe ky dukej në paqe me vetveten.

Advertisement

Këtu e tutje shtegu është i thepisur dhe kërkohet pak kondicion. Retë davariteshin andej-këndej dhe para nesh shfaqej me krejt madhështinë e saj Maja e Lubotenit.

Pak para cakut, befasia e radhës: takuam një grup hetuesish e policësh të Kosovës, djem të rinj me vullnet të madh për ta bërë Kosovën shtet funksional, djem të vendosur, që kanë çuar në burg dhjetëra zyrtarë që dyshohet se kanë vjedhur arkën e shtetit. Kur sheh zyrtarë të tillë, besimi rritet se Kosova një ditë do të jetë vërtet shtet i mirëfilltë.

Nga Maja e Lubotenit shihej gjysma e Ballkanit (e gjysma tjetër merrej me mend). Shkupi në njërën anë, rrethina e Tetovës në anën tjetër, Ferizaj përballë. Legjenda thotë se kur nata është e kthjellët, nga Luboteni shihen dritat e Selanikut. Nëse njëherë ngjitem natën në këtë kodër mitike, Granit Temaj nuk besoj se më lë vetëm. Graniti është njëri nga djemtë entuziastë të Kosovës që promovon turizmin malor kudo ndër viset shqiptare. E thërrasin amerikanë nga Amerika dhe i thonë: “Na shoqëro këtë fundjavë në filan kodrën në Shqipëri apo Kosovë”. Dhe Graniti e bën këtë. Siç e bëjnë edhe shumë djem e vajza të Kosovës. Njëri ndër ta shoku im fantastik nga Gjakova, Nëntor Oseku.

Kjo ditë fantastike përfundoi në restorantin “Sharr” në Strazhë. Ushqimi – tepër i shijshëm. Pogaçe e ngrohtë, gjizë, pleskavicë e mbushur Sharri. Dëshira të tjera njeriu s’duhet të ketë në këtë ditë. Në mbrëmje, nga autostrada, Luboteni dukej aq i largët – dhe aq i afërt.

Advertisement

Edhe diçka: duke zbritur nga Maja e Lubotenit takuam Bedri Bushin nga Kaçaniku. Na tregoi se nga viti 2014 është ngjitur 43 herë (sic!) në Luboten. Shenjat e shtegut i kishte shënuar ai me shokët e tij. Tri vija: kuq, bardhë, kuq. “Ka ndodhur një gabim”, tha Bedriu. E kisha vërejtur më herët këtë. Sinjalizimi ndërkombëtar i shtigjeve duket kështu: një vijë e bardhë, një e kuqe, një e bardhë. Një arsye më tepër që Bedriu të ngjitet sërish në Luboten. Dukej si djalë 20-vjeçar. Nejse, mos ta teprojmë, dukej si 30-vjeçar, ndërsa i ishte afruar moshës 60-vjeçare. Bjeshka bën mrekulli.

Image

2. Në Malet e Sharrit

Nga njëri prej kryeqyteteve më të ndotura në Evropë deri në fshatin Zaplluxhë të Opojës rruga në një ditë dimri zgjat nja dy orë. 30 minutat e fundit të rrugës janë një ecje e ngadaltë nëpër mjegull të dendur. Sa më lart drejt qiellit, aq më e pakët mjegulla dhe aq më këmbëngulëse rrezet e diellit. Caku i synuar bashkë me Granit Temajn ishte Maja Skarpa (2476 metra lartësi mbidetare). Pas disa qindra metrash ecjeje, befas një lepur i trembur mori kodrën dhe mua m’u kujtua ky rrëfim i Fan Nolit (e gjeni në Youtube): një ditë një prift shkoi me popullin për të varrosur një njeri, por befas prifti u zhduk dhe arsyen nuk e mori vesh askush. Njerëzia po çuditeshin si e la prifti të vdekurin në rrugë. Papritmas prifti doli me një dyfek nga kisha dhe ia krisi dhe vrau një lepur. Njerëzia e irrituar i thanë priftit: aman për një lepur e le të vdekurin këtu. Budallenj, tha prifti, i vdekuri pret, lepuri nuk pret.

Advertisement

Neve lepuri nuk na priti, sepse s’kishim as dyfek, as dylbi. Por natyra kishte shpërblime të tjera. Poshtë shihej një supë e përhimët prej mjegulle, ndërsa në horizont maja e Oshlakut, një kodër kurrizore tepër e bukur, të cilën e kishim shkelur para afërsisht një viti. Pastaj si gjerdanë qëndronin krenarë Maja e Zezë, Vertopi, Maja e Liqeneve, ndërsa në anën tjetër Gjallica, Koritniku dhe Pashtriku i famshëm. Kishte diçka për të parë jo vetëm në horizont, por edhe para këmbëve tona: gjurmë të një ariu (apo arushe).

Sa më afër kodrës Skarpa, aq më shumë ndryshonte moti. Mjegulla që u rishfaq me shpejtësi dhe stuhia që s’pushonte na shtyri të merrnim një vendim të pashmangshëm: të ktheheshim pak metra para se të shkelnim majën Skarpa. Kthimi ishte më i lehtë se ngjitja, kjo s’është befasi, sidomos kur para vetes ke një restorant të mirë si “N’bjeshkë. Agroturizëm”. Qofte në gjalpë dhe speca me gjizë – ky kombinim ua kalon edhe atyre lokaleve të shtrenjta të Zürichut, ku kuzhinieri të shurdhon me ligjërata se si e ka përgatitur një patëllxhan. Punë e madhe. Ditë të tilla si kjo e bëjnë Kosovën edhe më të bukur, vetëm mos të ishte ajo duhma e thartë e qymyrit që ta zë frymën në hyrje të Prishtinës.

Image

3. Vjeshta e artë në Zvicrën e vogël të Kosovës: Brodi dhe bukuria

Advertisement

Njëherë është hera e parë. Në një ditë tetori për mua nga fshati Zhur e përpjetë ishte – hera e parë. Nëpër fshatra me toponime të ndryshme, mes tyre Plavë. Qenka, pra, një Plavë afër Dragashit. Ngjyra vjeshte kudo. Shkëlqim dhe përndezje bojërash. Në Brod, aty rreth orës 08:00, një tufë kuajsh lodronin nëpër fshat. Në krye të fshatit dy qen ruanin një hotel. Restoranti qe i mbyllur. Andaj, siç kishte thënë Granit Temaj, vetëm ec luginës përpjetë.

Sinjalizimi lë për të dëshiruar. Për fat të keq. Por me intuitë, herë në shteg, herë afër, herë jashtë shtegut – kjo ishte një ditë e mrekullueshme në Komunën e Dragashit, në kufi me Maqedoninë e Veriut. Liqene e lumenj, burime e përroska, gurë kufiri e maja, por edhe borë. Kishte edhe borë. Moti nuk ka mundur të jetë më i mirë edhe po të ishte porositur. Kështu ishte dita, kështu ishte vjeshta e artë në Zvicrën e Kosovës. Në horizont dukej një teleferik për skiatorë. Shumë e mundur të jetë sjellë këtu nga Zvicra.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy