Kosovë, LDK-ja: Do të marrim pjesë në votimin për presidentin

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Kosovë, LDK-ja: Do të marrim pjesë në votimin për presidentin

Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë vendim që të marrë pjesë në zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.

Kështu kumtoi kreu i partisë, Lumir Abdixhiku pas takimit me deputetët e partisë së tij.

“LDK-ja nuk do të bëjë obstruksione në zgjedhjen e presidentit të vendit, që LDK si gjithherë do të ushtrojë detyrimin e saj kushtetues e të marrë pjesë në votimin e presidentit të vendit”, tha ai.

Abdixhiku tha se ky është vendimi i Kryesisë së LDK-së të votuar me shumicë absolute, duke shtuar se ai pret që të gjithë 15 deputetët e partisë të tij, të respektojnë këtë vendim.

Advertisement

“Vendimi i Kryesisë së LDK-së determinon edhe fatin tonë për një periudhë 5-vjeçare”, shtoi ai.

Abdixhiku tha se presidenti i ri i vendit, duhet të jetë bashkues dhe i të gjithëve dhe jo t’i “nënshtrohet një pushteti”.

“Ne presim që presidenti i ardhshëm i vendit, kushdo që zgjidhet, të ushtrojë këto detyrime me përgjegjësi të plotë, që të jetë president i të gjithëve, që të jetë bashkues e jo ndarës, që të jetë garantues i Kushtetutës dhe jo keqpërdorues i saj, që të jetë njëmend president e jo i nënshtruar i një pushteti”, tha ai.

Kandidate për postin e presidentes është Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit garoi bashkë më listën për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, duke fituar mbi 300 mijë vota.

Advertisement

Më 22 mars, u konstituua Kuvendi i ri dhe po të njëjtën ditë u zgjodh edhe Qeveria e re e Kosovës në krye me Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje. Qeveria e tij u mbështet nga 67 deputetë.

Si zgjidhet presidenti?

Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota për të deputetëve.

Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Advertisement

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

LVV-ja ka 58 ulëse në kuvend, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 15.

Partia Demokratike e Kosovës, parti kjo në opozitë tashmë ka qëndrimin e saj se nuk do ta votoj Vjosa Osmanin për presidente, ashtu siç nuk e ka votuar as qeverinë Kurti 2.

Pro votimit të Osmanit janë deklaruar komunitetet joserbe.

Advertisement

Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje nga kjo pozitë pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Këtë post e ushtroi Vjosa Osmani dhe pas zgjedhjes në krye të kuvendit, Glauk Konjufca mori edhe detyrën e ushtrimit të postit të presidentit.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy