
Sipas Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar i kredisë për individë u rrit për të tretin tremujor radhazi, por këtë herë ajo ishte më e theksuar. Gjatë periudhës korrik-shtator, interesi mesatar arriti në 7.6%, nga 6.8 dhe 6.5% që ishte mesatarisht në dy tremujorët paraardhës.
Rritja më e madhe në këtë tremujor ishte te kreditë konsumatore, ku interesi i tyre rezultoi 10.1%, nga 9.2% që ishte mesatarisht në gjysmën e parë të vitit.
Interesat e kredisë hipotekare ndërkohë u rritën në 4.5%, nga 3.8% që ishin në pjesën e parë të vitit dhe vitin e kaluar.
Për pasojë, analizat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në tremujorin e tretë të vitit janë shfaqur disa sinjale që tregojnë për ngadalësim të kredisë së këtij segmenti.
Flukset tremujore të kredisë hipotekare ishin rreth 35% më të ulëta se një tremujor më parë, po kështu në ngadalësim ishte edhe kredia e re e disbursuar për këtë qëllim.
Ndryshe nga kredia në lekë, interesi i kredisë në euro vijon të luhatet në vlera të ulëta gjatë këtij viti.
Rritja e normës bazë për euron nga ana e Bankës Qendrore Evropiane në muajin korrik akoma nuk ka pasur reflektim të fortë tek interesat e kredisë në euro, që për tremujorin e tretë shënoi 3.6%, duke mbetur thuajse i pandryshuar nga nivelet mesatare të tremujorëve të mëparshëm, 3.7% dhe 3.8% respektivisht.