Me vendim qeverie u krijua Komisioni i Ekzekutimit të vendimeve penale. Ky Komision do të shërbejë për rritjen e transparencës dhe koordinimin e të gjitha institucioneve që ndjekin ekzekutimin e vendimeve penale.
Komisioni, i pavarur nga Ministria e Drejtësisë ka përfaqësues të Kryeministrit, Kuvendit, Presidencës, Prokurorisë së Përgjithshme, Dhomës së Avokatisë dhe ministrive përgjegjëse për drejtësinë, arsimin, financat e shëndetësinë.
Kryetari dhe zv.kryetari i Komisionit zgjidhen me votim të fshehtë, me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve, për një periudhë 2-vjeçare me të drejtë rizgjedhjeje. Nëntë anëtarët që përbëjnë Komisionin qëndrojnë në detyrë për katër vjet, pa të drejtë ricaktimi.
Kriteret e rëndësishëm të përcaktuar lidhen kryesisht me pastërinë dhe integritetin e figurës së anëtarëve.
Komisioni shërben si një mekanizëm kombëtar për trajtimin e ankesave, kryerjen e verifikimeve të nevojshme, monitorimin e punës së burgjeve dhe çdo problematike në to, duke trajtuar me përparësi çdo çështje dhe informuar ministrin e Drejtësisë.