Kryeministrja e Serbisë: Zyrtarët e Serbisë s’e kanë vendin në Srebrenicë, të ndiqen penalisht ata që sulmuan Vuçiç-in pasi është skandal

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Kryeministrja e Serbisë: Zyrtarët e Serbisë s’e kanë vendin në Srebrenicë, të ndiqen penalisht ata që sulmuan Vuçiç-in pasi është skandal

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, tha se në vitin 1995 në Srebrenicë “ka ndodhur një krim i tmerrshëm”, por shtoi se zyrtarët e Serbisë nuk e kanë vendin në ngjarjet përkujtimore atje, derisa të mos ndiqen penalisht personat që, gjashtë vjet më parë, sulmuan kryeministrin e atëhershëm të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Në Bosnje dhe Hercegovinë sot u shënua përvjetori i 26-të i gjenocidit në Srebrenicë.

Mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë u vranë në korrik të vitit 1995 nga forcat serbe të Bosnjës.

“Derisa nuk dalin para drejtësisë të gjithë ata që sulmuan presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç – atëherë kryeministër – i cili shkoi në Srebrenicë për të shprehur respekt për viktimat dhe popullin boshnjak, ne, zyrtarët, nuk e kemi vendin atje”, tha Bërnabiç për Televizionin Prva të Serbisë.

Advertisement

Sipas saj, është “skandal” që askush nuk ka dhënë përgjegjësi për sulmin ndaj Vuçiçit, çfarë do të thotë se “diçka e tillë mund të ndodhë përsëri”.

“Shpreh keqardhje të madhe, sepse një krim i tmerrshëm ka ndodhur në Srebrenicë dhe nuk kam asnjë problem të shpreh respekt për të gjitha viktimat”, tha Bërnabiç.

Në korrik të vitit 2015, Vuçiç mori pjesë në përkujtimin e viktimave të gjenocidit në qendrën përkujtimore Potoçari në Srebrenicë, ku disa pjesëmarrës, të pakënaqur me praninë e tij, hodhën shishe plastike dhe sende të tjera në drejtim të tij.

Gjatë luftës në Bosnje në vitet 1990, Vuçiç ishte zyrtar i Partisë Radikale Serbe, e cila kishte formacionet e saj paraushtarake në fushat e betejës në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kroaci.

Advertisement

Vuçiç ishte pjesë e kësaj partie deri në vitin 2008, kur formoi Partinë e tij Përparimtare Serbe, e cila sot mban pushtetin në Serbi./REL

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy