Kufijtë “e zjarrtë” të Ballkanit

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Kufijtë “e zjarrtë” të Ballkanit

Nga Linda Karadaku

Mosmarrëveshjet dypalëshe në Ballkanin Perëndimor kanë në thelb kufijtë, tokësorë apo detarë, dhe shumë prej tyre janë trashëgimi e ish-Jugosllavisë, në të cilën përcaktimet e kufijve midis republikave nuk ishin gjithmonë të sakta. Kroacia është vendi në rajon me numrin më të madh të kufijve të diskutueshëm. Territoret e diskutueshme janë zakonisht të vegjël, por mund të shkaktojnë probleme të mëdha, siç ishte mosmarrëveshja midis Sllovenisë dhe Kroacisë në Gjirin Piran që mbajti pezull procesin e pranimit të Kroacisë në BE. Çështje të tjera përfshijnë çështje të pronës, të kishës apo të pakicave etnike.

Greqia dhe Maqedonia e Veriut

Zyrtarisht, që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Prespës nuk ka çështje të pazgjidhura midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë. Por përmbajtja e marrëveshjes lë shumë detaje teknike për t’u zgjidhur, zgjidhja e të cilave varet në një masë të madhe nga ekzistenca e vazhdueshme e vullnetit të mirë politik nga të dy palët. Marrëveshja hyri në fuqi në shkurt 2019, por ka një proces të gjatë të zbatimit të dispozitave të saj. Greqia kërkon ta lidhë zbatimin e Marrëveshjes së Prespës me procesin e pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE ndërsa BE refuzon ta bëjë zyrtarisht këtë lidhje. Sidoqoftë, në praktikë Greqia, si çdo vend anëtar i BE, ka fuqinë të vërë veton në hapjen dhe mbylljen e kapitujve negociues me Maqedoninë e Veriut.

Advertisement

Zbatimi i marrëveshjes kërkon shumë ndryshime praktike dhe të kushtueshme në Maqedoninë e Veriut, të tilla si ndryshimi i emrit të vendit në emrat e institucioneve publike, bizneseve, dokumenteve zyrtare, përfshirë pasaportat, kartat e identitetit, patentat e shoferit; dhe targat, emetimin e parave të reja; dhe modifikimin e planprogrameve shkollore dhe teksteve shkollore duke hequr referencat që mund të nënkuptojnë pretendime për Maqedoninë Greke.

Neni 8 i marrëveshjes përcakton që palët duhet të zbatojnë masa korrigjuese nëse përdorin simbole që të tjerët i konsiderojnë si ” pjesë të historisë dhe trashëgimisë kulturore të saj”. Dy vendet krijuan një Komitet të Përbashkët Ndër-Disiplinor të Ekspertëve mbi çështjet historike, arkeologjike dhe arsimore. Rishikimi i librave shkollorë të historisë dhe gjeografisë do të jetë një proces i gjatë dhe i vështirë, pasi prezantimi i disa ngjarjeve historike do të duhet të modifikohet, të tilla si ajo e luftës civile greke ose luftërat ballkanike.

Maqedonia e Veriut gjithashtu duhet të “rishikojë statusin e monumenteve, ndërtesave publike dhe infrastrukturave” dhe të bëjë korrigjime në mënyrë që këto të mos i “referohen në asnjë mënyrë historisë dhe civilizimit të lashtë helen”. Një pjesë tjetër e dhimbshme e marrëveshjes (neni 3) është se ajo praktikisht ndalon Maqedoninë e Veriut të mbështesë të drejtat e pakicës maqedonase që jeton në Greqi, ekzistenca e së cilës nuk njihet zyrtarisht nga Greqia.

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria

Advertisement

Ngjashëm me grekët, qeveria bullgare dhe publiku në përgjithësi kanë vënë në dyshim identitetin maqedonas, veçanërisht ekzistencën e një kombësie dhe gjuhe të veçantë. Mbi këtë bazë, ata kontestojnë trashëgiminë historike, monumentet dhe simbolet e Maqedonisë së Veriut.

Qeveria bullgare ka deklaruar se do të preferonte emrin “Republika e Maqedonisë së Veriut” në krahasim me “Maqedoninë e Veriut”, pasi kjo e fundit gjithashtu i referohet një rajoni historik, një pjesë e të cilit është në Bullgarinë e sotme (e quajtur Maqedonia e Pirinit). NATO u mor me këtë problem duke miratuar një deklaratë në korrik 2019 duke sqaruar se termi “Maqedonia e Veriut” që paraqitet në dokumentet e NATO-s i referohet ekskluzivisht “Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Bullgaria gjithashtu i ka kërkuar Komisionit Evropian që të mos e quajë maqedonishten gjuha “maqedonase”, siç parashikohet nga Marrëveshja e Prespës, por “gjuha zyrtare” e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në vitin 2017, Maqedonia e Veriut nënshkroi një traktat miqësie me Bullgarinë, e cila gjithashtu përdor termin “gjuhë zyrtare” në vend të gjuha maqedonase. Aktualisht, BE-ja përdor si “gjuhën maqedonase” ashtu edhe “gjuhën zyrtare”, ndërsa Kombet e Bashkuara përdorin termin “gjuha maqedonase”.

Advertisement

Të dy vendet kanë ngritur disa grupe pune ndërqeveritare për çështje specifike dypalëshe, të tilla si për tregtinë, bashkëpunimin ekonomik dhe përmbajtjen e librave shkollorë të historisë. Por qeveria bullgare njoftoi se do të kushtëzojë mbështetjen e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut me arritjen e një marrëveshje rreth figurave kryesore historike të pretenduara nga të dy palët. Për shembull, të dy vendet përkujtojnë përvjetorin e kryengritjes së Ilindenit të vitit 1903 kundër osmanëve, duke pretenduar figurat kryesore të saj.

Dy qeveritë kanë ngritur një komision të përbashkët të historisë dhe arsimit, roli i të cilit është të sqarojë mosmarrëveshje të tilla historike. Sofja paraqiti 20 kërkesa – në lidhje me çështjet historike dhe pakicën maqedonase në Bullgari , dhe kërkon që Maqedonia e Veriut ti përmbushë përpara konferencës së parë ndërqeveritare që shënon zyrtarisht fillimin e bisedimeve të pranimit në BE.

Kosova dhe Serbia

Nga të gjitha marrëdhëniet bilaterale problematike në Ballkan, marrëdhënia Serbi-Kosovë është ndoshta më e vështira për t’u zgjidhur. Ndërkohë që ka shumë probleme teknike që duhet të adresohen nga të dy palët, zgjidhja e këtyre çështjeve praktike varet nga aftësia e palëve për të arritur një konsensus në lidhje me cështjet politike. Pengesat e Beogradit për zbatimin e shumë marrëveshjeve teknike vijnë nga mosnjohja e sovranitetit shtetëror të Kosovës.

Advertisement

Në vitin 2011, Serbia dhe Kosova filluan një dialog të lehtësuar nga BE, i cili zgjati për shtatë vjet deri në 2018. Dialogu përfshiu një gamë të gjerë çështjesh, përfshirë përfaqësimin e Kosovës në forume dhe institucione rajonale, lirinë e lëvizjes, menaxhimin e kufijve, gjyqësorin, policinë, telekomunikacionin, trafikun ajror, doganat, regjistrat e tokave, regjistrat civilë, harmonizimin e diplomave, targave të regjistrimit dhe energjisë elektrike. Kjo bëri që të dy palët të përfundonin një numër marrëveshjesh teknike.

Përveç kësaj, ata nënshkruan dy marrëveshje të nivelit të lartë politik në 2013 dhe 2015. Që atëherë, shumë prej këtyre marrëveshjeve kanë mbetur të pazbatuara ose vetëm pjesërisht të zbatuara. I gjithë procesi u ndal në nëntor 2018 kur qeveria e Kosovës vendosi një taksë 100 për qind të importit për mallrat serbe dhe boshnjake, e cila u hoq në vitin 2020. Kosova ka bërë ndërkohë kompromise të dhimbshme. Plani Ahtisaari, i cili është baza e kushtetutës së Kosovës, i akordoi kompetenca të vetos de facto anëtarëve serbë të parlamentit të Kosovës mbi të ashtuquajturat “çështje thelbësore” për pakicat; ndryshimet kushtetuese; dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Këto të drejta vetoje ekzistojnë në formën e kërkimit të mbështetjes me shumicë të dyfishtë në këto tre fusha, dhe në praktikë kjo nënkupton të paktën dy të tretat e 100 deputetëve që zgjidhen me votim të drejtpërdrejtë dhe 20 vendet e rezervuara për përfaqësuesit e pakicave.

Kroacia dhe Serbia

Advertisement

Marrëdhëniet e Serbisë me Kroacinë kanë vazhduar të shënjohen me mosmarrëveshje, përfshi çështjen e kufirit. Territori i debatueshëm midis Serbisë dhe Kroacisë përfshin rreth 100-140 kilometra katrorë përgjatë një pjese prej 138 km të lumit Danub. Nëntëdhjetë për qind e kësaj zone aktualisht është nën kontrollin e Serbisë. Pozicioni kroat është që kufijtë e vjetër komunalë të vendosur përgjatë lumit, bazuar në regjistrin e tokave të monarkisë Austro-Hungareze, duhet të jenë vija kufitare.

Këta kufij komunalë fillimisht ishin në vijën e Danubit, por tani ekziston një mospërputhje midis lumit dhe kufirit. Kroacia thotë se kushtetuta e Jugosllavisë i njohu këto kufij të vjetër komunalë, por kjo kundërshtohet nga Serbia.

Qëndrimi serb është se mesi i Danubit duhet të jetë vija kufitare, edhe pse rrjedha e lumit në vetvete nuk është fiksuar plotësisht dhe pozicioni i tij ende ndryshon. Në fillim të viteve 2000 u krijua një komitet dypalësh për të adresuar këtë çështje, por ai nuk ka qenë aktiv vitet e fundit.

Mali i zi dhe Serbia

Advertisement

Mali i Zi shpalli pavarësinë e tij nga Bashkimi Shtetëror i Serbisë dhe Malit të Zi përmes një referendumi publik në 2006. Megjithatë dy vendet kanë një numër çështjesh të hapura, Njohja e shtetësisë së Kosovës nga Mali i Zi, ndalimi i dy-shtetësisë nga Mali i Zi për shtetasit e tij që kanë edhe shtetësinë serbe; dhe funksionimi i Kishës Ortodokse Serbe në Malin e Zi.

Serbia nuk e njeh marrëveshjen për shënimin e kufirit që Mali i Zi ka me Kosovën. Procesi i shënjimit të kufirit midis Serbisë dhe Malit të Zi është ende pezull për shkak të çështjes së Kosovës, përkundër faktit se në të vërtetë nuk ka mosmarrëveshje midis dy shteteve se ku duhet të jetë kufiri. Por, pasi Mali i Zi njohu pavarësinë e Kosovës, Serbia refuzoi të vazhdojë negociatat.

Serbia gjithashtu ka ankesa në lidhje me politikën e shtetësisë së Malit të Zi, e cila kufizon shtetësinë e dyfishtë. Kjo ka të bëjë kryesisht me malazezët që jetojnë në Serbi dhe do të dëshironin të ishin qytetarë të të dy vendeve.

Qytetarët malazezë të cilët kishin shtetësi të dyfishtë para vitit 2006, kur Mali i Zi fitoi pavarësinë, mund ta mbanin atë. Por që nga viti 2006, qytetarët malazezë nuk mund të jenë shtetas edhe të një shteti tjetër pa humbur shtetësinë e tyre malazeze. Sipas ligjit të shtetësisë të Malit të Zi të vitit 2008, përjashtime mund të bëhen për qytetarët e vendeve me të cilat Mali i Zi ka nënshkruar traktate dypalëshe të shtetësisë.

Advertisement

Rreth 270,000 persona me origjinë malazeze jetojnë në Serbi. Nëse këta 270,000 persona do të bëheshin qytetarë të Malit të Zi dhe të fitonin të drejtën e votës në Malin e Zi, kjo mund të kishte pasoja të gjera politike në një vend me vetëm 620,000 banorë. Tensionet u ngritën gjithashtu pas miratimit të ligjit për lirinë fetare, sipas të cilit,  çdo kishë, do të mund të mbante pronën e saj vetëm nëse do të mund të tregonte prova të pronësisë së saj para vitit 1918, kur Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, morën kontrollin e pronës fetare në Mal të Zi. Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës mirëpriti ligjin duke thënë se “ai sjell ndryshime të rëndësishme pozitive në legjislacionin ekzistues, të vjetëruar”.  Një Kishë Ortodokse Malazeze e veçantë është themeluar në vitin 1993.

Mali i zi dhe Kroacia

Megjithëse Mali i Zi në përgjithësi ka marrëdhënie të mira me fqinjët e tij, një nga çështjet e pakta të pazgjidhura ka të bëjë me shënjimin e kufirit me Kroacinë në gadishullin Prevlaka. Ky territor i diskutueshëm ishte më parë nën kontrollin e ushtrisë së Jugosllavisë, dhe kjo është arsyeja pse kufiri nuk ishte përcaktuar qartë midis dy republikave para shpërbërjes. Mali i Zi dhe Kroacia nënshkruan një marrëveshje të përkohshme në 2002 mbi regjimin kufitar, i cili rregullon trafikun detar në gjirin e Kotorrit.

Kjo ka funksionuar mirë në praktikë, dhe kufiri tokësor është i qartë. Sidoqoftë, kufiri detar mbetet një mosmarrëveshje, dhe kjo ndikon në kontrollin e mundshëm të kërkimit për naftë dhe gaz.

Advertisement

Të dy vendet ranë dakord që nëse nuk mund ta zgjidhin mosmarrëveshjen dypalëshe, çështja do të dërgohet në një organ ndërkombëtar, siç është Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ose një komitet ndërkombëtar i arbitrazhit.

Kroacia dhe Bosnjë-Hercegovina

Kroacia dhe Bosnjë-Hercegovina kontestojnë kufirin e tyre detar, i cili kalon midis gadishullit Pelješac në anën kroate dhe gadishullit Klek në anën boshnjake. Në vitin1999, të dy vendet nënshkruan një marrëveshje kufitare e cila u trajtua si e diskutueshme nga të dyja palët, dhe kështu nuk arritën të zgjidhnin çështjen. Në vitet e fundit, Kroacia ka planifikuar të ndërtojë një urë për të lidhur gadishullin Pelješac me Dubrovnikun.

Ndërtimi filloi në 2018 dhe është planifikuar të përfundojë deri në vitin 2022. Ura do të bllokonte hyrjen e Bosnjës në ujërat ndërkombëtare, kështu që Bosnja e kundërshton projektin. Megjithëse do të ishte në interes të Bosnjës që çështja Pelješac të paraqitej në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ose në një organ arbitrazhi, Bosnja de facto nuk mund ta ngrejë çështjen zyrtarisht sepse nuk arrin të ketë një pozicion të unifikuar shtetëror për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme, veçanërisht me Republikën Srpska, një nga entitetet konfederale të vendit. Bosnja ka gjithashtu mosmarrëveshje të tjera kufitare me Kroacinë pranë Bihacit, përgjatë lumit Una, pranë Kostajnicës, dhe pranë Martin Brod.

Advertisement

Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia

Bosnje-Hercegovina dhe Serbia kontestojnë territorin prej rreth 40 kilometrash katrorë përgjatë lumit Lim, i vendosur në rrjedhën e poshtme të lumit Drina.

Lim kalon nga Mali i Zi përmes rajonit të Sanxhakut, duke kapërcyer kufirin Serbi-Bosnjë dhe duke lënë disa fshatra serbë dhe boshnjakë praktikisht në vendin tjetër. Për shembull, fshati Sastavci i përket Bosnjës, megjithatë është një enklavë boshnjake e rrethuar nga komuna serbe e Priboj.

Kufiri gjithashtu ndan dy hidrocentrale, “Zvornik” dhe “Bajina Bašta”, dhe zonën e vendosur përgjatë vijës hekurudhore Beograd-Bar. Termocentralet zyrtarisht i përkasin Serbisë, por kufiri, i cili ndodhet në mes të lumit, përshkon diga dhe liqene akumuluese, të cilat i shërbejnë impiantit.

Advertisement

Bosnjë-Hercegovina dhe Kosova

Bosnja dhe Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe mban një regjim të rreptë të vizave. Që nga viti 2008, qytetarët e Kosovës kanë nevojë për viza për të hyrë në Bosnjë, dhe në vitin 2014, Kosova vendosi një regjim vizash për qytetarët e Bosnjës.

Bosnja nuk ka as ambasadë në Prishtinë dhe qytetarët e Kosovës duhet të udhëtojnë për në Tiranë për të aplikuar për viza boshnjake.

Në mënyrë paradoksale, Bosnja nuk njeh letërnjoftimet dhe pasaportat e Kosovës, por pranon dokumente doganore të Kosovës. Kosova vendosi taksën doganore 100 përqind jo vetëm për mallrat serbe, por edhe për produktet e importuara nga Bosnja.

Advertisement

Shqipëria dhe Greqia

Marrëdhënia midis dy vendeve ka qenë e ndërlikuar. Në vitin 2017, filloi një dialog i nivelit të lartë midis Shqipërisë dhe Greqisë ndërkohë që në Greqi ishte qeveri e Syrizës.

Por kjo periudhë bisedimesh intensive përfundoi në fund të vitit 2018 me dorëheqjen e ministrit të jashtëm grek, Nikos Kotzias, në tetor dhe largimin e ministrit të jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati,  në dhjetor.

Qeveria e re greke e udhëhequr nga partia nacionaliste Demokracia e Re bëri një hap prapa në zgjidhjen e çështjeve të hapura me Shqipërinë, por ajo është rikthyer në tryezë pas tensioneve Greqi-Turqi mbi Egje. Pesë çështje midis Shqipërisë dhe Greqisë ende shkaktojnë tensione midis dy vendeve. Për palën shqiptare, heqja e ligjit të luftës që vazhdon të mbahet ende nga Greqia dhe çështja çame. Për Greqinë, ndërtimi i varrezave në Shqipëri për ushtarët grekë; dhe pakica greke në Shqipëri.

Advertisement

Të dy vendet nënshkruan një traktat miqësie në fillim të viteve 1990, ndërsa në vitin 2016, ministrat e jashtëm ranë dakord për t’i dhënë fund gjendjes zyrtare të luftës.

Megjithatë, Greqia ende nuk ka miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore. Qeveria greke heziton të anulojë dekretin pasi ajo ndalon shqiptarët çamë të kërkojnë përsëri pronën që u ishte marrë atyre në Greqi gjatë dhe pas luftës.

Mijëra shqiptarë u dëbuan nga Greqia në 1944, por Greqia deri më tani ka refuzuar madje as ta njohë atë si çështje. Ajo që të dyja vendet kanë në axhendë dhe dëshirojnë ta mbyllin është kufiri detar. Shqipëria dhe Greqia nënshkruan një marrëveshje mbi caktimin e kufirit detar në 2009, por gjykata kushtetuese shqiptare e anulloi atë në 2010.

Në vitin 2018,  dy qeveritë iu afruan arritjes së një marrëveshjeje të re, e cila përsëri nuk u arrit të finalizohej. Mosmarrëveshja ka të bëjë me shelfin continental.

Advertisement

Greqia pretendon se ishujt e saj të vegjël kanë gjithashtu shelfe kontinentale, të cilat do të zgjeronin territorin mbi të cilin Greqia gëzon të drejta ekskluzive për shfrytëzimin ekonomik të burimeve nënujore në shtratin e detit Jon midis Greqisë dhe Shqipërisë.

Por arritja e marrëveshjes me Shqipërinë është komplikuar nga marrëdhëniet e trazuara të Greqisë me Turqinë, ku caktimi i kufirit detar është vetëm një nga shumë problemet. Turqia nuk njeh shelfet kontinentale të pretenduara të ishujve të vegjël grekë, pasi kështu, do t’i mohohej Turqisë kontrolli mbi zonat ekonomike deri në vijën mesatare të Egjeut, me përjashtim të ujërave territoriale përreth ishujve grekë. Ndërsa Greqia thotë se të gjitha shelfet kontinentale të ishujve duhet të merren parasysh në mënyrë të barabartë, gjë që do t’i jepte Greqisë të drejta ekskluzive ekonomike pothuajse në të gjithë detin Egje.

Në vitin 2018, qeveria greke njoftoi se dëshironte të zgjeronte ujërat e saj territoriale në Egje nga 6 në 12 milje detare, siç lejohet nga Konventa e Kombeve të Bashkuara për Ligjin e Detit. Turqia, e cila nuk është palë në këtë konventë, kishte bërë të qartë që në vitin 1995 se nëse Greqia zgjeronte në mënyrë të njëanshme ujërat e saj territorial, ky do të ishte një shkak për luftë./abcnews.al

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy