“Kurti lejoi që të njolloset UÇK-ja vetëm për ta eliminuar Thaçin nga skena politike”

Pinterest LinkedIn Tumblr +
“Kurti lejoi që të njolloset UÇK-ja vetëm për ta eliminuar Thaçin nga skena politike”

“Neve na duhet të shikojmë vetëm historinë për të kuptuar sesi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka instrumentalizuar çështjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si mundësi për të eliminuar kundërshtarët e tyre politik”, ka thënë për Albanian Post, zëdhënësja e Partisë Social Demokrate, Natyra Kuçi.

Sipas saj, kreu i qeverisë t’i thotë, ‘Shko Hashim’ një personi “me ndikim në luftën e UÇK-së”, në një gjykatë e bërë me tendencë për krimet e luftës, “i bie që ai po heq dorë nga përpjekja çlirimtare të Kosovës vetëm për ta mposhtur Hashim Thaçin”.

Ajo tutje ka thënë se nga refuzimi zhbërjes së Gjykatës Speciale mos reagimi me javë të tëra për arrestimin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së e deri te emërimi i Donika Gërvallës si ministre e Punëve të Jashtme, “mund të shohim që nuk kemi të bëjmë me qëndrime parimore por me instrumentalizim të çështjes për ardhje në pushtet nëpërmjet eliminimit të kundërshtarëve politik”.

Dhe e gjithë pasoja e kësaj sipas Kuçit mbetet “tjetërsimi i historisë, shkak i të cilit është Kurti së bashku me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani”, gjë e cila për zëdhënësen e PSD-së është jo vetëm e papranueshme por edhe revoltuese dhe shkas për rezistencë.

Advertisement

“Për neve me rëndësi është që Vjosa, në rolin e Presidentes së Kosovës, pra si institucion unifikues i politikës, do të duhej të mbante qëndrimin tashmë të etabluar që Ushtria Çlirimtare e Kosovës është historia jonë dhe është arsyeja pse sot kemi institucione legjitime”.

Kështu është shprehur Kuçi, kur është pyetur se cila është pritshmëria e PSD-së nga presidentja Osmani pas veprimit të së martës.

PSD-ja, e vendosi flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në oborrin e Kuvendit të Kosovës, si shenjë proteste ndaj presidentes së vendit, Vjosa Osmani.

Lidhur me këtë aksion Kuçi, ka thënë se mos përmendja e UÇK-së është fenomen “i një mendësie që ka ardhur në pushtet, një tjetërsim i UÇK-së nga historia e Kosovës”.

Advertisement

Ajo tutje theksoi se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar të njolloset lufta e UÇK-së, me qëllim që të eliminohen disa individë nga skena politike.

Një reagim të tillë e ka bërë edhe anëtari i kësaj partie, Zgjim Hyseni, i cili në një konferencë për media ka thënë se pa UÇK-në nuk do të ekzistonin institucionet e Kosovës përfshi edhe Presidencën.

“Institucionet e Kosovës, Presidenca dhe të gjitha tjerat nuk kanë kuptim as nuk shpjegohen pa UÇK-në. Pa UÇK-në këto institucione nuk do të ishin tonat, në fakt do të ishin ose kuislinge ose autonomiste. Të gjithë ne i dimë rrethanat ndërkombëtare dhe momentet që na sollën deri këtu”, është shprehur Hyseni.

Aksioni i kësaj partie jo parlamentare u zhvillua pas kritikave të bëra ndaj presidentes Osmani, me rastin e përvjetorit të Betejës së Koshares, ku ajo nuk kishte përmendur emrin e UÇK-së.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy