Lajcak dhe Escobar: Jo republikë serbe në Kosovë por Asociacioni duhet të zbatohet

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Lajcak dhe Escobar: Jo republikë serbe në Kosovë por Asociacioni duhet të zbatohet

Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Me këtë mesazh e mbyllën vizitën 3-ditore në Kosovë përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Megjithatë Escobar tha se nuk do të imponojnë asnjë model të Asociacionit me pushtet ekzekutiv. “Nuk është e thënë që të jenë modele që dëmtojnë sovranitetin dhe funksionimin e shtetit të Kosovës. Por duhet të gjenden modele dhe të implementohen. Ky është qëllimi i dialogut dhe jo i Shteteve të Bashkuara, ne nuk duam të imponohemi. Është besim ynë që vendet në Ballkanin Perëndimor të njohin njëri-tjetrin, të jenë në paqe dhe të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian”, deklaroi Escobar.

Sakaq Lajcak theksoi se askush nuk e do një republikë serbe në Kosovë. “Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është vazhdimisht temë e dialogut. Më lejoni t’ju tregoj perspektivën time lidhur me të. Kosova është palë e barabartë në dialog, asgjë nuk mund t’i imponohet Kosovës pa dakordësinë e saj. Askush nuk dëshiron një “Republikë serbe” në Kosovë. Por është një parim universal, që thotë se ajo që është marrë përsipër duhet të implementohet. Keni bërë një zotim, mos u frikësoni për diçka që nuk ekziston, zotërojeni këtë proces dhe dilni me qëndrime”, tha Lajcak.

Sllovaku, i cili ndërmjetëson dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, shtoi më tej se ky proces nuk është për “të negociuar statusin e Kosovës, por marrëdhëniet mes dy vendeve”. Escobar dhe Lajçak e vlerësuan si produktive vizitën në Prishtinë.

Advertisement

Pas Kosovës, dy zyrtarët do të qëndrojnë në Serbi për t’u takuar me udhëheqësit politikë atje. Qëllimi i vizitës është inkurajimin i palëve për vazhdimin e dialogut. Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar një raund të bisedimeve në nivel të lartë që prej korrikut të vitit 2021.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy