Liberalizimi tek energjia, fazë e re, sfida të vjetra për 2150 subjekte të lidhura në tension 20 kilovolt

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Liberalizimi tek energjia, fazë e re, sfida të vjetra për 2150 subjekte të lidhura në tension 20 kilovolt

Nga 1 janari 2024, në tregun e lirë dolën 2150 biznese të lidhura në tension 20 kilovolt, që do të thotë se duhet ta sigurojnë të vetëm energjinë nga furnizuesit e licencuar.

Ky është një hap i ri për këto biznese, të cilat janë në fazë procedurale për të zgjedhur alternativën që u përshtatet dhe u ofron çmimin më të mirë, ku mes listës së furnizuesve privatë është edhe mundësia që ofron kompania publike, Furnizuesi i Tregut të Lirë.

Ky furnizues është pjesë e OSHEE Group, por “gara” për të tërhequr pranë vetes sa më shumë klientë apo për t’i mbajtur ata është e njëjtë me privatët. Zyrtarisht, 2150 bizneset duhet të kishin lidhur tashmë kontratat dhe të kishin nisur furnizimin me çmimet e dakordësuara me një prej 21 furnizuesve potencialë, por “de facto”, të gjithë po furnizohen nga FTL.

Ajo që mbetet pezull për momentin është çmimi me të cilin këto biznese do të faturohen për janarin(fatura merret në shkurt) nga kjo kompani publike, diçka që është ende në terma negocimi. Përafërsisht parashikohet që tarifa për këtë grup biznesesh të jetë rreth 18.5 lekë.

Advertisement

Liberalizimi i tregut të energjisë po rezulton një nga proceset më sfiduese të sektorit, ku nga fillimi i tij në vitin 2018, vetëm bizneset në 35 kilovolt kanë arritur ta hedhin këtë hap plotësisht, megjithëse edhe këtyre të fundit iu desh jo pak kohë.

Këtu përjashtohen bizneset e lidhura në tension të lartë 110 kv, që kanë konsum të konsiderueshëm dhe e kanë kaluar këtë hallkë prej vitesh, ende pa u miratuar ligji për sektorin e energjisë i vitit 2015.

Kushtet në tregun e energjisë në lidhje me hallkat janë më të plota sot në vitin 2024, në raport me vitin 2018 kur nisi liberalizimi, por sërish sfidat duket se nuk do të mungojnë kur vijmë nga një krizë energjie që ende nuk është zbehur plotësisht.

Bizneset në tension 20 kv në treg të lirë, nga 1 janari 2024

Advertisement

OSHEE Group, në fund të dhjetorit, njoftoi se bizneset e lidhura në tension 20 kilovolt, 2150, nga 1 janari 2024 do të dilnin në treg të lirë. Për këtë fazë, OSHEE tha se kishte njoftuar paraprakisht të gjithë subjektet në mënyrë që kalimi nga tregu pjesërisht i rregulluar ku ishin, në atë plotësisht të liberalizuar, të bëhej më i thjeshtë.

Këto biznese, deri në 31 dhjetor 2023, furnizoheshin nga Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU) përmes njësisë së tij, i njohur si Furnizuesi i Mundësisë së Fundit. Ligjërisht, ata ishin në treg të lirë nga janari 2022, por për shkak të krizës së energjisë, që kulmoi dy vite më parë, qeveria vendosi t’i mbante me çmime preferenciale për të minimizuar pasojat negative.

Një pjesë e mirë e këtyre bizneseve janë prodhuese dhe agropërpunuese, të cilat si efekt i çmimeve të larta në atë kohë deklaruan se e kishin të pamundur të përballonin kostot dhe do të shkonin drejt mbylljes. Çmimi i tyre mesatar për vitin 2022 ishte 18.58 lekë/kWh, 70% më i lartë se ai që kishin në tregun e rregulluar.

Për vitin 2023, ky çmim ishte 18.26 lekë. Në bursa, çmimi i energjisë ka pësuar rënie të ndjeshme, por ende mbetet mbi nivelin e parakrizës që nisi në shtator 2021, duke paralajmëruar se çmimi i tregut do të vijojë të mbetet më i lartë se çmimi i dikurshëm në tregun e rregulluar.

Advertisement

Në këtë fazë të re ku jemi sot, bizneset mund të lidhin kontratë me një furnizues privat, ose nëse e kanë të pamundur të gjejnë një të tillë me kontratë 1-vjeçare me Furnizuesin e Tregut të Lirë me çmime fikse.

Pikërisht, çështja e çmimit fiks për 2024 pritet të vendoset këto javë, çka do të qartësojë edhe kostot reale për këto biznese.

FTL synon të orientojë energjinë e prodhuesve me përparësi te 35kv dhe 20 kv

Advertisement

Furnizuesi i Tregut të Lirë, kompania që po furnizon bizneset e lidhura në tension 35 kilovolt dhe ato në 20 kilovolt, po synon që të vijojë të mbajë pranë vetes këtë kategori, duke synuar çmime konkurruese në raport me furnizuesit e tjerë në treg.

Administratori i OSHEE-së, Enea Karakaçi, shpjegoi se është menduar që një pjesë e energjisë që vjen nga prodhuesit me përparësi, që janë HEC-et deri në 15 MW, si dhe prodhuesit fotovoltaikë, të orientohet për furnizimin e këtij grupi.

Aktualisht, FTL e blen energjinë nga HEC-et deri në 15 MW me një çmim fiks prej 10 lekësh, të miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë. Për këtë alternativë ende nuk ka një vendimmarrje, por po vijon të negociohet.

“Blerja e energjisë elektrike nga Burimet e Rinovueshme të Energjisë (HEC, Solar dhe Eolik) në bazë të VKM për përcaktimin e Detyrimit Publik në sektorin e Energjisë Elektrike i është ngarkuar FTL sh.a.

Advertisement

Një pjesë e kësaj energjie do të përdoret nga FTL sh.a për mbulimin e humbjeve dhe një pjesë për furnizimin e klientëve në nivel tensioni 35kV dhe 20kV.

Çmimi i shitjes së energjisë elektrike për konsumatorët finalë në treg të parregulluar është një marrëdhënie Kërkesë/Ofertë dhe është lirisht i negociuar midis palëve. Gjithashtu, FTL do të marë masa që mos të përkeqësojë pozitën e këtyre klientëve në raport me dy vitet e kaluara.

FTL disponon një portofol të gjerë me energji elektrike nga BRE, është lider i grupit më të madh të balancimit në vend dhe ka një staf të trajnuar dhe të përgatitur për të ofruar çmimet më të mira në treg, si Furnizues për këtë kategori klientësh”, – pohon z. Karakaçi.

Vendimi i qeverisë, çmimin do ta miratojë Asambleja e Shoqërisë

Advertisement

Disa ndryshime të miratuara nga qeveria në vendimin nr.456, datë 29.6.2022 “Për miratimin e kushteve për vendosjen e detyrimit të shërbimit publik që do të zbatohen ndaj të licencuarve në sektorin e energjisë elektrike të cilët ushtrojnë aktivitetin e prodhimit, transmetimit, shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike” i japin dritën e gjelbër kompanisë së shpërndarjes për mënyrën sesi do të trajtohet energjia e marrë nga prodhuesit me përparësi. Kështu së pari përcaktohet hallka që miraton çmimin final për shitjen e çdo njësie energjie që vjen nga prodhuesit më përparësi.

“Çmimi i blerjes së energjisë nga tepricat e burimeve të rinovueshme për furnizimin e klientëve të furnizuesit publik në treg të lirë, duke filluar nga 1 janari 2024 është çmimi i blerjes së energjisë së prodhuesve me përparësi hidrike, ndërsa çmimi i shitjes për njësi miratohet nga Asambleja e Përgjithshme e Shoqërisë” thuhet në vendim.

I njëjti vendim përcakton edhe atë që ndodh me tepricat e energjisë nga ky grup.

“Në rast të tepricave të krijuara nga prodhimi i burimeve të rinovueshme të energjisë, ato fillimisht do të tregtohen për nevoja të furnizimit të klientëve të shoqërisë publike të furnizimit në tregun e lirë, ndërsa sasia e mbetur do të depozitohet te shoqëria publike e prodhimit, për t’u përdorur për nevoja të furnizimit të klientëve universalë.

Advertisement

Sasitë rakordohen me bazë mujore dhe shkëmbehen gjatë vitit për mbulimin e humbjeve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes dhe nevojave të shoqërisë publike të furnizimit në tregun e lirë, bazuar në sasinë dhe programet e kërkuara nga furnizuesi i tregut të lirë, për të cilat është rënë dakord ndërmjet palëve” nënvizon vendimi.

Në treg, 21 furnizues, por kontratat kufizohen nga disbalancat

Enti Rregullator i Energjisë publikoi në fund të dhjetorit 2023 një listë me furnizuesit e tregut. Ky publikim erdhi si një rikujtesë për të gjithë bizneset në tension 20 kv, të cilët OSHEE deklaroi që do të ishin në treg të lirë.

Në këtë listë bëjnë pjesë nga kompanitë publike tek ato private, që janë thjesht furnizues apo mbajnë edhe licenca prodhimi. Kalimi nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit te një furnizues privat teknikisht duket si një hap i lehtë, ku njëri zëvendëson tjetrin, por praktikisht vjen me vështirësi për të gjithë palët e tregut. Së pari, bizneset në disa raste e kanë të vështirë të parashikojnë konsumin e tyre mesatar mujor.

Advertisement

Ky është një ngërç që më pas u sjell vështirësi në negocimin e tyre me furnizuesin privat, pasi ky i fundit sheh vështirësi në akomodimin e disbalancave. Këto të fundit krijohen si një diferencë e parashikimit dhe konsumit real dhe plotësimi i kësaj disbalance në të dyja kahet sjell humbje financiare.

Kompanitë e mëdha, kryesisht ato publike, e kanë më të lehtë akomodimin e disbalancave për hir të marrëdhënies që kanë brenda sistemit me kompanitë bija, apo Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare. Çështja e disbalancave nuk është e thjeshtë dhe është ndeshur shpesh në marrëdhëniet që kompanitë kanë pasur me subjektet që furnizojnë.

Më herët, ishte FSHU ajo që e adresoi këtë çështje tek ERE për përgjegjësinë që duhet të mbanin bizneset në 35 kilovolt. Në tetor të vitit të shkuar, teksa diskutohej çmimi i muajit gusht për bizneset e lidhura në tension 35 kilovolt, u nënvizua se kostot e disbalancave do të përfshiheshin te çmimi final i energjisë dhe për këtë, FSHU do të duhej të njoftonte subjektet.

“FSHU sh.a., me shkresën nr. 5622/2 prot., datë 07.09.2023, protokolluar me tonën nr. 2002/4 prot., datë 11.09.2023, bëri të ditur ndër të tjera se:

Advertisement

…Sipas Ligjit 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike” i ndryshuar (Neni 81), si dhe Rregullave të Tregut të Balancimit dhe akteve të tjera në fuqi, Furnizuesi është përgjegjës përballë Operatorit të Sistemit të Transmetimit për çdo disbalancë të shkaktuar, kurse klientët janë përgjegjës përballë furnizuesit për disbalancat e shkaktuara.

Nisur nga fakti që FMF e ka aktualisht teknikisht të pamundur për t’i përfshirë si zë më vete në faturën e energjisë elektrike kostot e disbalancave, pasi ky proces kërkon një modifikim të faturës aktuale të energjisë, këto kosto i shtohen çmimit të miratuar nga ERE për këtë kategori klientësh, dhe reflektohen në faturë në zërin çmim i energjisë elektrike…

FSHU sh.a. në rolin e FMF nëpërmjet aplikimeve të kryera, ka si qëllim informimin e Entit Rregullator të Energjisë, mbi përfshirjen në faturën e energjisë për këta klientë” – thuhet në dokument.

Duke marrë parasysh këto kërkesa, Enti nënvizoi se në respekt të ligjit, Furnizuesi i Mundësisë së Fundit duhet që të informojë klientët në faturën e konsumit të energjisë elektrike mbi çdo element përbërës të çmimit, si dhe kostot përkatëse.

Advertisement

Kjo nënkupton se FMF duhet të bënte të ditur se kostoja e disbalancave duhet t’iu njoftohet bizneseve, si pjesë përbërëse e çmimit total që kalon çdo muaj për miratim në ERE.

Bizneset në tension 10 kv, gati për fazën tjetër të liberalizimit

Liberalizimi i tregut të energjisë parashikohet të vijojë edhe përtej subjekteve në tension 20 kv. Bëhet fjalë për ato biznese të lidhura në tension 10 kv, të cilat me shumë gjasa do duhet të sigurojnë energjinë të vetëm nga furnizuesit privatë, me çmime tregu por një afat i saktë ende mbetet i papërcaktuar.

Administratori i OSHEE Group, Enea Karakaçi, tha për “Monitor” se aktualisht, subjektet e lidhura në tension 6 dhe 10kV do të vijojnë të furnizohen nga FSHU sh.A, pjesë e grupit OSHEE.

Advertisement

“Kjo kategori klienti (pra, 6 dhe 10kV) gëzon statusin e klientit që furnizohet nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FSHU sh.a), kurse tarifa e konsumit të energjisë elektrike miratohen nga ERE, bazuar në metodologjinë e llogaritjes së çmimit për FMF”, – nënvizoi ai.

Këto biznese, ashtu si ato të lidhura në 20 kilovolt gjatë vitit 2023, u furnizuan me çmim pjesërisht të rregulluar që u miratua nga Enti Rregullator i Energjisë për gjithë vitin dhe që ishte 18.26 lekë./Monitor

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy