Lista e zezë e SHBA: Synohet bllokimi i fondeve publike për të sanksionuarit

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Lista e zezë e SHBA: Synohet bllokimi i fondeve publike për të sanksionuarit

Kompanive që kanë pronarë biznesmenë serbë, të cilët në fillim të dhjetorit u futën në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të ardhmen duhet t’u pamundësohet konkurrimi në tenderë, deklaroi zëvendësministri i Infrastrukturës në Kosovë, Hysen Durmishi.

Durmishi tha se organet e ndjekjes janë duke kryer hetime për këta persona.

“Pas hetimeve, institucionet tona duhet t’i fusin këto kompani në listën e zezë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), në mënyrë që këtyre kompanive t’u pamundësohet konkurrimi në tenderë”, tha Durmishi për REL.

Aktualisht, mundësitë ligjore për futjen në listë të zezë të bizneseve i ka OSHP-ja, ndryshe e njohur edhe si Gjykata e Tenderëve.

Advertisement

Sipas rregullores së punës së këtij institucioni, një operator ekonomik mund të futet në listë të zezë ose “të diskualifikohet” pas një ankese të autoritetit kontraktues dhe pas vërtetimit se operatori ekonomik ka dorëzuar informata të rrejshme apo dokumente të falsifikuara.

Ndërkohë, më 17 dhjetor, Ministria e Infrastrukturës njoftoi se kompania “RAD” D.O.O, e cila është futur në listën e zezë të Thesarit të SHBA-së, nuk do të jetë pjesë e konsorciumit në kontratën: “Mirëmbajtja verore dhe dimërore 2021-2022 e rrugëve nacionale dhe rajonale”.

“E kemi larguar prej konsorciumit dhe atje është duke u vazhduar kontrata, pasi dy operatorët tjerë ekonomikë janë shqiptarë, i plotësojnë kriteret dhe thjesht është amandamentuar kontrata dhe gjithçka është në rregull”, sqaroi Durmishi.

Kompania “RAD” D.O.O dhe kompania tjetër P.T.P. “RAD”, janë në pronësi të Radulle Steviqit. Ai është një ndër personat që më 8 dhjetor, u futën në listën e të sanksionuarve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Advertisement

Departamenti i Thesarit i SHBA-së i ka futur në listë të sanksioneve, ndër të tjerë, nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiqin, biznesmenët nga veriu i Kosovës, Zvonko dhe Zharko Veselinoviqin, si dhe Srgjan Vuloviqin, Zhelko dhe Andrija Bojiqin dhe Radulle Steviqin.

Sipas vendimit që u bë i ditur të mërkurën e 8 dhjetorit, këta persona janë identifikuar si të lidhur me skema të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë. Në komunikatën e Departamentit amerikan të Thesarit, Zvonko Veselinoviq identifikohet si udhëheqës i grupit të krimit të organizuar dhe gjithashtu si një nga figurat më famëkeqe të korrupsionit në Kosovë.

Grupi i tij është i angazhuar në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë, thuhet në komunikatë.

 

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy