Kryetari i Bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdari rezulton i dënuar me dënim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Janinë.
Kjo është përgjigjja që Prokuroria e Përgjithshme i ka kthyer KQZ.
Sipas vendimit, Hajdari është dënuar me 4 muaj burg, dënim i cili është konvertuar në gjobë me vlerën e 1500 dhrahmive, vendim i marrë më 23 qershor të vitit 1999.
Vendimi i Zyrës së Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme tanimë është në “duart” e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cilit pritet që gjatë mbledhjes së të martës të vendosë për mandatin e socialistit Hajdari, i cili u rizgjodh për një mandat të dytë në krye të Bashkisë së Kuçovës më 14 maj.
Kujtojmë që më 4 prill 2023 KQZ administroi kërkesën e koalicionit Bashkë Fitojmë me anë të së cilës kërkohet verifikimi i pastërtisë së figurës pasi sipas indicieve rezultonte i dënuar në shtetin grek. Kërkesa e KQZ u protokollua në prokurori më 24 prill të këtij muaji.