
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, mori pjesë në Samitin e parë Ndërqeveritar Shqipëri–Itali, ku delegacioni shqiptar kryesohet nga Kryeministri Edi Rama.
Gjatë ditës, Spiropali zhvilloi edhe një takim bilateral me Zëvendës Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm, Antonio Tajani.
Në një postim në platformën X, ministria Spiropali e cilëson mbledhjen e parë të përbashkët mes dy qeverive si një pikënisje historike për projekte të reja dhe bashkëpunim më të ngushtë.
“Omnes viae Romam ducunt — Të gjitha rrugët të çojnë në Romë
Mbledhja e parë e përbashkët mes dy qeverive Shqipëri-Itali, një pikënisje historike për projekte të reja, për bashkëpunim edhe më të ngushtë dhe për rrugëtimin e përbashkët drejt një Europe më të bashkuar.”, shkruan Spiropali.
Ky samit ndërqeveritar përfaqëson një moment të rëndësishëm për konsolidimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha kyçe si mbrojtja dhe siguria, energjia, migracioni, shëndetësia, zhvillimi ekonomik dhe infrastrukturor, si dhe për përgatitjen e projekteve të përbashkëta për avancimin e partneritetit strategjik Shqipëri–Itali.