Ministri “rikujton” detin, Greqia shpreson të marrë atë që kërkoi

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Ministri “rikujton” detin, Greqia shpreson të marrë atë që kërkoi

Nëse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i jep të drejtë Greqisë për çështjen e delimitimit të zonave detare me Shqipërinë, atëherë vendi ynë nuk ka çfarë kërkon më tepër për këtë çeshtje, pasi do të mbizotërojë ligji ndërkombëtar për detin.

Kështu mund të përkthehet deklarata e Ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias gjatë një takimi me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ku u nënshkruan disa marrëveshje mes 2 shteteve, kryesisht me aspekt ushtarak.

“Në 2 vitet e kaluara ne kemi përfunduar marrëveshjet për delimitimin e zonave detare me Italinë dhe Egjiptin, ndërsa kemi rënë dakord me Shqipërinë që ta dërgojmë këtë çështje në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ne vlerësojmë edhe qëndrimin tuaj që e drejta sovrane duhet të respektohet brenda kufijve të ligjit ndërkombëtar për detin. Shpresojmë që të gjitha vendet e botës të bazohen në këto principe”, u shpreh Dendias.

Pas bisedimeve thuajse 30-vjeçare mes Shqipërisë dhe Greqisë, çështja e ndarjes detare është dërguar në një gjykatë ndërkombëtare vitin e kaluar, ku tashmë palët do të paraqesin pretendimet e tyre.

Advertisement

Përmbledhtazi mund të thuhet se bëhet fjalë për 12 milje në detin Jon, të pretenduara nga Greqia që nëse e fiton çështjen, atëherë kufiri do të spostohet në ujërat tona. Kjo është një zonë e lakmuar ekonomike, me burime gazi, ndaj edhe përplasja mes shteteve është e madhe.

Gjykata Kushtetuese në Shqipëri rrëzoi një marrëveshje për ndarjen detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, firmosur në vitin 2009 nga qeveria Berisha dhe prej asaj kohe janë caktuar grupe të përbashkëta ekspertësh për zgjidhjen e çështjes.

Ndërkaq, në takimin me Sekretarin amerikan të Shtetit, ministri Dendias foli edhe për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

“Greqia ishte vendi i parë i Europës Juglindore që është anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe ka gjithashtu përgjegjësinë më të madhe për të siguruar që Ballkani Perëndimor të integrohet në familjen europiane”, deklaroi ministri grek.

Advertisement

Në marrëveshjen mes Dendias dhe Blinken, vendet kanë rënë dakord që SHBA-të dhe Greqia do të ofrojnë për 5 vjet mbrojtje reciproke të njëra-tjetrën në rast agresioni, ndërsa janë diskutuar edhe aspekte të tjera ushtarake mes 2 shteteve.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy