Mjedra, respiratorë dhe ikona e vjedhur: Një kronikë nga Bosnja

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Nga Enver Robelli

1- Vallja e viktimës me mohuesin e gjenocidit

Në vitin që iku Bosnjë-Hercegovina s’mund të ankohej për një gjë: për mungesë aferash politike dhe korruptive. Një nga skandalet më të mëdha politike ndodhi bash në Srebrenicë, qytetin ku forcat serbe më 1995 kryen gjenocid. Bego Bektiqi, lider lokal i partisë socialdemokrate (SDP) – dhe i mbijetuar i gjenocidit serb – u zbulua duke kryer veprime të paligjshme për të mundësuar votimet në mungesë me qëllim që në postin e kryetarit të Srebrenicës të rizgjidhet Mlladen Grujiçiqi nga partia serbe SNSD.

Bego Bektiqi u mbajt pak ditë në burg, pastaj u lirua të mbrohet në liri – bashkë me dy ndihmës të tij. Që të tre janë përjashtuar nga partia, por rezultati i zgjedhjeve në Srebrenicë nuk është anuluar ende nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Bosnjës. Mlladen Grujiçiqi mbetet kryetar i Srebrenicës. Bego Bektiqi dhe dy përkrahësit e tij dyshohet se vodhën identitetet e boshnjakëve të regjistruar për të votuar në Srebrenicë, falsifikuan dokumentet e tyre personale dhe i lajmëruan ata si votues me postë nga Serbia. Mlladen Grujiçiqi nuk e pranon gjenocidin serb në Srebrenicë, as vendimet e plotfuqishme të gjykatave kundër kriminelëve të luftës. Megjithatë, viktima e gjenocidit Bego Bektiqi duket se nuk kishte asnjë problem moral të kryejë edhe vepra të paligjshme për të përkrahur Grujiçiqin, mohuesin e krimeve ndaj boshnjakëve, pra edhe ndaj Bektiqit.

Advertisement

2- Kooperativa e mjedrave dhe respiratorët

Edhe Bosnja si gati mbarë bota u ballafaqua në pranverën e vitit të kaluar me pandeminë. Atëherë nuk flitej për vaksina, por për ngujim, maska dhe respiratorë, pra aparate që e mbajnë gjallë pacientin, i cili s’mund të marrë frymë. Një ditë prilli autoritetet njoftuan se janë porositur disa respiratorë në Kinë. U tha se porosinë e kishte bërë – lexoni mirë! – një kooperativë që merret me përpunimin e pemëve, pra «Srebrena malina» nga Srebrenica, pronë e një moderatori televiziv (Fikret Hoxhiq). Domethënë: ndërmarrja e mjedrave nga Bosnja porosit respiratorë në Kinë. U kuptua pastaj se në këtë porosi ishin involvuar edhe shefi i mbrojtjes civile të Bosnjës Fahrudin Solaka dhe shefi i federatës boshnjako-kroate Fadil Novaliq. Në mediat boshnjake kjo treshe përshkruhej si «3F»: Fikreti, Fahrudini dhe Fadili. Prokuroria ka nisur hetimet, respiratorët kinezë janë shpallur të papërdorshëm për shërimin e pacientëve nga Covid-19. Fikreti, Fahrudini dhe Fadili një natë maji e kaluan në burg, tash presin procesin. Partia SDA, e cila e konsideron veten parti të boshnjakëve (myslimanëve), e quajti arrestimin e Fadil Novaliqit «atak kundër boshnjakëve». Qasje tipike e partive që në emër të mbrojtjes së kombit në radhët e tyre tolerojnë politikanë vjedhës.

3- Dhurata për ministrin rus

Në dhjetor erdhi për vizitë në Bosnjë Sergej Llavrovi, shefi i diplomacisë ruse. Së pari takoi jashtë Sarajevës liderin e serbëve të Bosnjës Millorad Dodik. Gjatë konferencës për media Dodik në prani të Llavrovit tha se ministri i jashtëm rus së pari kishte vizituar «republikën e serbëve», ndërsa pastaj do të vizitonte Bosnjën. Një provokim i kalkuluar: thua se «republika e serbëve» dhe Bosnjë-Hercegovina janë shtete fqinje. Të nesërmen Llavrov shkoi në Sarajevë, në agjendë parashihej një takim me tre anëtarët e presidencës së Bosnjës: Millorad Dodik (përfaqësues i serbëve dhe kryesues i radhës i presidencës), Shefik Xhaferoviq (boshnjak), Zhelko Komshiq (kroat). Këta dy të fundit bojkotuan takimin në shenjë proteste kundër takimit që Llavrov zhvilloi një ditë më parë me Dodikun dhe mesazheve kundër Bosnjës.

Advertisement

Kjo përplasje u harrua lehtë, sepse në sipërfaqe doli «Afera Ikona». Dodik i kishte dhuruar Llavrovit një ikonë nga Ukraina, një ikonë 300 vjet të vjetër. Me këtë dhuratë Dodik me gjasë dëshironte të përçonte dy mesazhe: për vëllazërinë serbo-ruse-ortodokse dhe për përkrahjen e pushtimit rus të Ukrainës lindore dhe Krimesë. Në opinion menjëherë u shtrua pyetja: si përfundoi në duart e Dodikut ikona e manastirit apo kishës në Ukrainë? Ende nuk dihet. Ikonën mund ta kenë vjedhur mercenarët serbë që kanë luftuar në anën e rusëve në Ukrainën Lindore.

Ndërkohë Ukraina e ka quajtur Dodikun vjedhës dhe rrenacak, ka kërkuar hetime dhe kthimin e artefaktit, prokuroria e Bosnjës ka filluar hetimet, Dodiku po llomotit se krejt kjo është një aferë e konstruktuar, ndërsa Ministria e Jashtme ruse është përpjekur t’i japë fund sa më shpejt aferës: ikonën ia ka dorëzuar ambasadorit të Bosnjës në Moskë, i cili e ka sjellë në Sarajevë. Hetimet vazhdojnë…

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2020 Struga.info | Privacy policy