
Në rrugët nacionale Burrel–Skuraj dhe Burrel–Rrëshen ka pasur probleme edhe gjatë kësaj të mërkure.
Në segmentin e Shkopetit ka pasur rënie gurësh përgjatë gjithë gjatësisë së tij.
Edhe pse firma mirëmbajtëse ka qenë gjatë gjithë kohës në terren, herë pas here rruga është bërë me një sens lëvizjeje. Për fat të mirë, nga prania e gurëve në rrugë nuk janë shënuar aksidente.
Situata ka qenë edhe më problematike në aksin tjetër nacional Ura e Matit – Rrëshen, ku si gjatë ditës së djeshme, ashtu edhe sot, ka pasur rënie të vazhdueshme të dherave.
Më i vështiri ka rezultuar segmenti në vendin e quajtur “Pujkë”, ku rruga në disa pjesë është kthyer në një sens lëvizjeje. Edhe pranë urës së Urakës vazhdojnë shembjet e dherave.
Ajo që bie në sy është fakti se gjatë këtyre dy ditëve nuk ka pasur asnjë mjet për largimin e dherave nga rruga, për ta bërë atë plotësisht të kalueshme. Bllokimi i kanaleve kulluese ka rënduar më tej situatën në këtë aks.
Ndërkohë, “Ura e Lufit” në Zenisht është në prag të shembjes, pasi është e mbuluar nga uji dhe në njërën nga këmbët e saj është hapur një gropë që vijon të gërryejë bazamentin.