Ka nisur me debate sesioni i ri parlamentar.
Një debat ka ndodhur mes deputetit të PD Tritan Shehu dhe kryeparlamentares Lindita Nikolla.
Pas miratimit të kalendarit të punës, Nikolla ka vijuar me rendin e ditës, kur Shehu kërkoi fjalën.
Ai “i tërhoqi veshin” kryeparlamentares, duke thënë se priste që sesioni të fillonte me rregullimin e gabimeve të sesionit të parë dhe jo ti thellonte ato.
Tritan Shehu nga PD-ja e Berishës u ankua duke thënë se në rend të ditës duhet të ishte edhe rezoluta e genocidit në Srebrenicës.
“Vazhdon të shkelet procedura dhe nuk ka përmirësim. Jo vetëm që nuk diskutuam për rezolutën për gjenocidin serb”, u shpreh ai, ku më pas u ndërpre nga kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla.
Në këto momente, Nikolla i ka ndërprerë fjalën, duke i mbyllur mikrofonin.
Shehu ka replikuar për pak sekonda nga vendi, ndërsa më pas ka nisur diskutimi i kryetarëve të grupeve parlamentare, ku fjalën e mori Fatmir Mediu, kreu i Partisë Republikane.