
Për ngjarjen e rëndë në plazhin e Potamit një protestë do të mbahet para Ministrisë së Brendshme.
Qytetarët janë thirrur nga shoqëria civile të protestojnë në parullën “Jonadën nuk e vrau varka, por e vrau shteti”.
Protesta do të nisë në orën 19:00, ku do kërkohet shkarkimi i Ministrit të Brendshëm Çuçi, Drejtorit të Policisë Nano dhe i Ministres së Turizmit Mirela Kumbaro. Nuk është përcaktuar ende nëse protesta do të zhvendoset edhe para zyrës së kryeministrit apo do të zhvillohet vetëm te Ministria e Brendshme.
Protesta e thirrur nga shoqëria civile dhe vetë qytetarët e indinjuar pas humbjes tragjike të jetës së 7-vjeçares Jonada Avdia është mbështetur edhe nga opozita.
Nga Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë është deklaruar se do të jenë aty, por si qytetarë. Thuajse dy vite më parë, para ministrisë së brendshme u protestua për vrasjen e klodian rashës po nga një polic. Protesta u pasua nga dorëheqja e ministrit të brendshëm Lleshaj.