Banka e Shqipërisë vendosi të mos ndryshojë normën bazë të interesit për lekun, duke e lënë atë në nivelin e 3.25%. Guvernatori Gent Sejko shpjegoi se ky vendim vjen si pasojë e rënies që ka pësuar inflacioni gjatë muajve të fundit.
“Inflacioni parashikohet të vijojë të reduktohet më tej gjatë vitit në vazhdim dhe të kthehet në objektiv në tremujorin e fundit të tij. Ky reduktim do të pasqyrojë ecuri më të balancuar të kërkesës dhe të ofertës agregate në ekonominë vendase, si dhe reduktimin e mëtejshëm të inflacionit në partnerët tanë tregtarë.”, tha guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko.
Megjithatë, Sejko paralajmëroi se Banka e Shqipërisë mund të rrisë në vijim normën bazë të interesit, për shkak të kërcënimit që vjen nga inflacioni i brendshëm.
“Këshilli Mbikëqyrës gjykon se presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend dhe se balanca e rreziqeve për inflacionin qëndron në kahun e sipërm. Në këtë kontekst, ai thekson se mbetet i gatshëm të vazhdojë procesin e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare, nëse kjo masë do të konsiderohet e nevojshme për kontrollin dhe garantimin e stabilitetit të çmimeve.”, shtoi Sejko.
Banka e Shqipërisë nisi normalizimin e politikës monetare pas më shumë se një dekade në mars të vitit 2022, kur nisi kriza e çmimeve prej luftës në Ukrainë./vizionplus.tv