
Nga Enkelejda Mema
Tym, zjarr dhe karrige të përmbysura. Me të njëjtin skenar deputetët demokratë mbështetës të Sali Berishës dhe Gazmend Bardhit erdhën në seancën e radhës parlamentare.
Ende pa nisur seanca shumica e deputetëve demokratë u përplasën me gardën në hyrje të kuvendit. Ajo kërkoi kontrollin fizik të tyre, por u kundërshtua nga opozitarët për shkelje të rregullores së kuvendit.
“Mos e prek me dorë”, tha Bardhi.
Tymueset në çantat e deputeteve gra u futën në sallë dhe u ndezën nga Flamur Noka ndërkohë që kolegët e tij i binin tavolinave për të penguar fjalën e socialistëve.
Në mes të kaosit dhe zhurmës dhe ku për shumicën socialiste ishte e pamundur të fliste nga vendi, pas foltorja ishte e bllokuar nga karriget e përmbysura, kryeparlamentarja përjashtoi Flamur Nokën për shkelje të rregullores.
“Zoti Noka jeni i përjashtuar”, tha Nikolla.
Përjashtimi nuk e ndaloi Flamur Nokën të vazhdonte aksionin duke i vënë flakën disa letrave madje dhe dorës së tij. Ai tentoi që tu vinte zjarrin karrigeve por u ndalua nga garda.
Në pamundësi për të patur një seancë normale ku deputetët do të flisnin për shqetësimet e qytetarëve, Lindita Nikolla e mbylli seancën pas 17 minutash mes tymit dhe rrëmujës në sallë.
“Këtu seanca mbyllet, e rradhës do t’iu njoftohet”, tha Nikolla.
Mbylljen e seancës para kohe Sali Berisha e quajti një sukses të mosbindjes civile të opozitës.
“Ishte suksesi i rradhës”, tha Berisha.
Të njëjtën shfaqje opozita do të luajë edhe të enjten e 7 dhjetorit ku pritet votimi nen për nen i projektbuxhetit për 2024-ën.
“Ne nuk do të tërhiqemi”, tha Bardhi.
Pasi projektligjin për komisionet hetimore të propozuar nga socialistja Ermonela Felaj e shpërfilli, Gazmend Bardhi tha se deri në plotësimin e kërkesave të saj për hetimin e qeverisë nga parlamenti, opozita nuk do ta ndalë aksionin.
“E zezë është zonja, kolegia që e ka propozuar, i zi është edhe ligji, është tipik komunist”, tha Bardhi.
Me largimin e gjithë deputetëve nga parlamenti oficerët e policisë gjyqësorë të Byrosë Kombëtare të Hetimit mblodhën provat e sherrnajës së opozitës me shumicën socialiste.
Pas përjashtimit të Flamur Nokës mbetet për tu parë se kush do të jenë deputetët e tjerë demokratë, për të cilët Partia Socialiste do të kërkojë “ndëshkimin” e tyre deri me dhjetë ditë nga punimet e kuvendit./vizionplus.tv