Persekutimi i qytetarëve në Kosovë në emër të luftës kundër korrupsionit

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Persekutimi i qytetarëve në Kosovë në emër të luftës kundër korrupsionit

Ngritja e aktakuzave ndaj zyrtarëve të ndryshëm, nën dyshimet për përfshirje në korrupsion, nuk ka munguar nga sistemi i drejtësisë në Kosovë. Por, në këtë drejtim, ka një element shqetësues, pasi që në emër të luftës kundër korrupsionit, prokuroria pa prova dhe dëshmi, ka akuzuar qytetarët apo zyrtarët publikë, duke i mbajtur ata me vite në procedura penale.

Në mesin e këtyre të akuzuarve janë Enver Hasani, ish-rektor i Universitetit të Prishtinës dhe ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës si dhe Sasha Mirkoviq, ish-kryetar i Komunës së Kllokotit.

Hasani gjatë kohës sa ishte në këto pozita, ndaj tij kishin filluar hetimet, në dy raste të ndara, por në të njëjtën ditë nga prokurorët specialë.

Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, vazhdimisht ka ngritur akuza në publik se ndaj tij, ishte konstruktuar një persekutim personal, për shkak të motiveve të hakmarrjes.

Advertisement

“Ato aktakuza janë nisur zyrtarisht më 14 prill 2015, të dyja për një ditë nga Drita Hajdari dhe Blerim Isufaj dhe me urdhër të kryeprokurorit (Aleksandër) Lumezi. Kushti që të shkojë Blerim Isufi në Prokurorinë Speciale dhe Drita Hajdari, në prokurori, aty ku është, për avancime kanë qenë që të ngriten aktakuzat ndaj meje. Ai ka qenë kushti i avancimit të tyre dhe ata janë avancuar menjëherë. Këtë e kanë ditur. Është hakmarrje primitive dhe e orkestruar nga politikës e kohës së atëhershme. Politikanët që ishin në pushtet në atë kohë, mendonin që në mënyrë administrative do të mund të më nxirrnin nga skena publike”, thotë Hasani për emisionin ‘Iustitia”, që është bashkëprodhim i Radios Evropa e Lirë dhe Betimit për Drejtësi.

Enver Hasani akuzohej nga prokuroria, që në kohën sa ishte kryetar i Gjykatës Kushtetuese kishte bërë falsifikim të dokumentit zyrtar dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Hasani, si kryetar i Kushtetueses, kishte vepruar në kundërshtim me autorizimet zyrtare me rastin e vendosjes për kërkesën e presidentes së Republikës së Kosovës (v.j. Atifete Jahjaga) në lidhje me dekretin e saj, që ka pasur të bëjë me emërimet e gjyqtarëve ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Speciale pretendonte se Hasani kishte nxjerrë vendim për papranueshmëri, nga i cili, tre persona kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme mandatet shtesë si gjyqtarë ndërkombëtarë në Gjykatën Kushtetuese. Prokuroria akuzonte Enver Hasanin se me dashje kishte shënuar të dhëna të rreme në aktvendimin mbi papranueshmëri.

Advertisement

Kjo aktakuzë asnjëherë nuk ishte proceduar në proces gjyqësor, pasi ishte rrëzuar në fazën fillestare, ku Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme, kishin konstatuar se prokuroria, jo vetëm që nuk kishte përmbushur asnjë element për ta ngritur aktakuzën, por që nuk kishte ekzistuar as niveli minimal, i bazuar jo se jo, për të filluar hetimet ndaj Enver Hasanit.

Hetime në emër të luftës kundër korrupsionit

Vlerësimet dhe akuzat e Enver Hasanit se dy aktakuzat ndaj tij janë ngritur me qëllim të persekutimit të tij dhe që të avancohen dy prokurorët, Blerim Isufaj dhe Drita Hajdari, hidhen poshtë nga Blerim Isufaj, kryeprokuror i Prokurorisë Speciale të Kosovës.

“Unë në parim nuk dua t’i komentoj rastet individuale sepse këto nuk komentohen. Por, unë për vete, me përgjegjësi të plotë e them se e kam ngritur një aktakuzë që kam menduar se ka prova, rast që është iniciuar prej Avokatit të Popullit. Gjykata e ka hedhur, unë e vlerësoj vendimin e gjykatës dhe këtu përfundon”, thotë Isufaj.

Advertisement

Në lidhje me akuzat e Enver Hasanit ndaj prokurores speciale, Drita Hajdari, emisioni ‘Iustitia’ ka bërë përpjekje ta intervistojë prokuroren Hajdari, por ajo nuk ka pranuar të flasë.

Për të dy aktakuzat e ngritura, të gjitha instancat e drejtësisë nuk gjetën prova se Enver Hasani ka kryer vepra penale.

Mungesë e dijes dhe profesionalizmit apo persekutim?

Për këto raste, kur prokurorët ngrenë aktakuza pa prova dhe dëshmi, për ish-Kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës, njëherësh profesorin universitar të së Drejtës Penale, Fejzullah Hasani, ka dy shpjegime: ose mungesë ekstreme të dijes dhe profesionalizmit të prokurorëve ose tendenca për të persekutuar njerëzit.

Advertisement

Por, në rastin e Enver Hasanit, ai thotë se më shumë më shumë shkon ‘persekutimi’.

“Këtë po e them, jo që unë dua të mbaj krah, por përfundimi i këtyre akuzave në gjitha instancat vetvetiu tregon se diçka nuk është në rregull. Po të ishte një nga ato të kishte kaluar, por të gjitha këto aktakuza kaluan në të gjitha instanca. Jo që kanë pasur ndonjë simpati ndaj zotit Hasani përkundrazi, mirëpo, aty nuk ka pasur asnjë mundësi që diku të bazohen. Nëse merret edhe një laik që nuk është fare jurist dhe i lexon ato akuza, e shikoni që nuk ka lidhje me profesionalizëm dhe nuk ka as lidhje me dyshim të bazuar, e të arsyeshme. Është çudi kur i merr, i sheh se si ka pasur guxim një prokuror të fillojë aktakuza të tilla”, thotë Hasani.

Sipas profesorit Hasani, në çdo vend ku ka drejtësi të konsoliduar dhe ku ka llogaridhënie, dështimet e tilla numerike, të aktakuzave të prokurorëve, për pasojë kanë edhe shkarkimin e prokurorit nga detyra. Por, sipas tij, kjo nuk ndodh në Kosovë.

Rasti i Sasha Mirkoviqit

Advertisement

Pa prova dhe dëshmi u ngritën shumë aktakuza edhe ndaj Sasha Mirkoviqit, kryetar i Komunës së Kllokotit.

Mirkoviq thotë se prokuroria ka ngritur 18 aktakuza kundër tij. Shtatëmbëdhjetë prej tyre ose janë hedhur poshtë ose janë gjykuar në favor të tij. Aktakuzat e ngritura ndaj tij kanë të bëjnë për korrupsion, përkatësisht për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”.

“Përmes atyre 17-të (aktakuzave), u vërtetua pafajësia ime dhe se unë nuk keqpërdora pozitën time gjatë drejtimit të komunës nga vitit 2010 deri më 2014. Pasi Sreqko Spasiq mori drejtimin e komunës, filluan problemet. Pas disa muajsh, Sreqko Spasiq, kryetari i atëhershëm i komunës dhe drejtorët e tij, bashkëpunëtorët, paraqiten kallëzime penale. Ata dorëzuan gjithçka që mundën në Polici dhe Prokurori dhe më kanë përndjekur. Mund të them lirisht, u bë përndjekje politike kundër meje sepse nuk jemi pajtuar politikisht”, thotë ai.

Për të parë se pse Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur të gjitha këto aktakuza ndaj Sasha Mirkoviqit dhe pse këto aktakuza nuk kanë arritur të provohen në gjykatë, emisioni “Iustitia” ka bërë përpjekje të vazhdueshme që të marrë përgjigje nga Arben Kadriu, ushtrues detyre i kryeprokurorit të kësaj prokurorie. Por, ai nuk është përgjigjur në kërkesën tonë.

Advertisement

Pas akuzave të Sasha Mirkoviqit se akuzat ndaj tij janë orkestruar nga ish-kryetari i Komunës së Kllokotit, Sreqko Spasiq, ka mohuar tendencat për hakmarrje, por thotë se denoncimet janë bërë nga zyrtarët e komunës së Kllokotit, të cilët kanë ofruar dëshmi për abuzime të detyrës nga ana e Mirkoviqit.

Përveç që i mohon akuzat, Spasiq pretendon se ndaj tij prokuroria ka ngritur aktakuza vetëm për ta eliminuar politikisht, për çka siç thotë ai, është dënuar për t’iu pamundësuar kandidimi për kryetar të komunës, në zgjedhjet e organizuara në atë kohë.

“Nuk kam ngritur kallëzime penale, por drejtorët e departamenteve të caktuara në Komunën e Kllokotit, për shembull drejtori i Financave, drejtori i Kadastrës dhe disa drejtorë të tjerë, që do të thotë se unë nuk kam bërë vetë kallëzime penale. Ndoshta në disa kallëzime penale është emri im, nuk mund ta them, sepse ishte disa vite më parë, por unë pretendoj që të gjitha kallëzimet penale janë, kam njohuri se ato ishin të bazuara dhe se kishte vërtet abuzime. Pse ato u refuzuan, ajo le të jetë në ndërgjegjen e prokurorisë ose gjykatës”, thotë ai.

Lidhur me ngritjen e aktakuzave pa prova dhe dëshmi, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, thotë se ka shumë aktakuza të tilla që ngrihen në Kosovë.

Advertisement

“Kemi vërejtje të mëdha, në kuptimin e përmirësimit. Diku një analizë që kemi bërë, kemi hasur që aktakuzat nuk i përmbajnë elementet qenësore të veprës për të cilën akuzohen dhe nuk përmbajnë arsyet e mjaftueshme për çfarë është ngritur. Unë nuk mund të thirrem në logjikën a ka pasur qëllime tendencioze apo jo, ne vetëm mund ta konstatojmë se aktakuza nuk i përmbajnë ato elemente që kërkohen sipas ligjit apo një aktgjykim i gjykatave të rregullta, që nuk është në përputhje me ligjin”, tha Peci.

Prokurorët, në rastet e tilla të cilat ku qytetarët apo zyrtarët publik ndiqen pa prova dhe dëshmi në emër të luftës kundër korrupsionit, nuk dhanë asnjëherë llogari.

Për kryetarin dhe ish-kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës, prokurorët e tillë duhet të japin llogari.

“Nëse një prokurori, prej 50 aktakuzave 30 apo 20 nuk i kalojnë, prokuroria duhet të merret, duke bërë vlerësimin e performacës., që të shikohet a është profesionalisht i aftë ai prokuror. Kjo vlen edhe për gjyqtarët. Nëse një gjyqtari i prishen në vazhdimësi rastet, atëherë duhet vlerësim i peformancës, që t’i tregohet rruga, t’i thuhet që ‘nuk je i aftë ta kryesh punën’. Edhe prokurori edhe gjyqtari e kanë një peshë të rëndësishme të vlerësimit për shkak se vendosin për fatin e njerëzve. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se një person që hyn si i akuzuar apo vjen në gjykim, çfarë përjetimi ndodh tek ai person. Në atë kuptim, duhet të jetë niveli i lartë i profesionalizmit te prokurorët dhe gjyqtarët”, tha Peci.

Advertisement

Ndryshe edhe sipas gjetjeve të monitorimit sistematik të Institutit të Kosovës për Drejtësi, përndjekja e zyrtarëve nga prokurorët në emër të luftës kundër korrupsionit është shndërruar në fenomen, njëjtë sikurse fenomeni i amnistisë së zyrtarëve të korruptuar, për të cilët ka prova dhe dëshmi, por të cilat raste nuk dalin në shesh dhe nuk procedohen qëllimisht.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy