Përshkallëzim tensionesh në Ballkan? Rreziku pas agresionit rus në Ukrainë, BE-NATO: Situata është shqetësuese në Bosnjë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Përshkallëzim tensionesh në Ballkan? Rreziku pas agresionit rus në Ukrainë, BE-NATO: Situata është shqetësuese në Bosnjë

Genc Çaushi

Burime nga selia e Bashkimit Europian dhe NATO-s në Bruksel shprehen se ka shqetësime serioze për mundësinë e përshkallëzimit të tensioneve në Ballkanin Perëndimor.

Këto dy organizata thonë se për një kohë të gjatë kanë qenë të vetëdijshme për tentimet e Rusisë që ta destabilizojë rajonin e Ballkanit Perëndimor, me qëllim që të pengojë stabilitetin afatgjatë dhe perspektivën euroatlantike të rajonit. Këto shqetësime, gjatë kësaj jave i ka shprehur edhe Parlamenti Europian në një rezolutë që miratoi për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës.

Advertisement

Deri më tani, sipas burimeve diplomatike në BE, Rusia ka investuar shumë në rajon në fushata të dezinformimit, sidomos në mediat në gjuhën serbe, por edhe në lidhje me organizatat politike në disa vende të Ballkanit Perëndimor.

Po të njëjtat burime pohojnë se në Bruksel “janë të vetëdijshëm për këto tentime dhe kanë ndërmarrë masa për bashkëpunim me partnerët tanë në rajon”.

“Në këto kontakte u kemi thënë të gjithë partnerëve që të jenë maksimalisht vigjilentë dhe të mos bëjnë veprime të cilat mund të rrisin tensionet. Nga të gjithë partnerët kemi dëgjuar se ata janë të vetëdijshëm për rrethanat dhe do të bëjnë maksimumin për të mos lejuar përshkallëzimin e situatës”, thotë një burim diplomatik. Burimet në BE dhe NATO thonë se një dozë më e madhe shqetësimi ekziston për situatën në Bosnje e Hercegovinë sesa në Kosovë.

Por, edhe në rastin e Kosovës, thonë se po e vëzhgojnë situatën me kujdes, por tani për tani është e qetë. Para disa ditësh, kur nisi agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, në NATO siguruan se trupat e Aleancës dhe të partnerëve që janë në misionin e KFOR-it në Kosovë do të vazhdojnë të kryejnë punën e tyre për të siguruar të gjithë qytetarët e Kosovës. “Politika e NATO-s në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor ka qenë konsistente gjatë tërë kohës. Kjo është edhe tani.

Advertisement

NATO mbetet tërësisht e përkushtuar që të vazhdojë të luajë rolin e vet në mbështetje të sigurisë afatgjate në Ballkanin Perëndimor”, thotë një zyrtar i NATO-s i pyetur nëse Aleanca do të rrisë praninë e saj në rajon për të parandaluar ndonjë destabilizim të mundshëm për shkak të luftës në Ukrainë.

Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka afro 4,000 trupa të stacionuar. Numri më i madh i ushtarëve janë nga Shtetet e Bashkuara dhe Italia. Shqetësim për situatën në Bosnje e Hercegovinë kan shprehur edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe shefi për politikën e jashtme i BE-së, Josep Borrell. NATO në Bosnje e Hercegovinë ka prani të kufizuar ushtarake dhe ka një seli në Sarajevë që po ashtu ka detyra të kufizuara.

Trupat e Aleancës mbështesin forcat ushtarake në Bosnje e Hercegovinë për reforma dhe modernizim, sipas prioriteteve të vendosura në Partneritetin për Paqe. Bosnje-Hercegovina bën pjesë në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s dhe ka shprehur aspiratat që të bëhet anëtare. Por ky proces nuk ka avancuar për shkak të problemeve të brendshme politike. Ndërkaq, BE-ja ka në Bosnje e Hercegovinë një mision ushtarak (EUFOR), që është i gatshëm të ndihmojë në ruajtjen e stabilitetit në këtë shtet./ Panorama.al

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy