Prokuroria e Posaçme ka kryer një tjetër goditje ndaj zyrtarëve të lartë, të dyshuar si të përfshirë në skema korrupsioni.
Këtë të premte, SPAK ka lëshuar urdhër për arrestimin e sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro.
Kjo e fundit është arrestuar në flagrancë nga policia, teksa u kap duke marrë një shumë prej 4 milionë lekësh të vjetra.
Dyshohet se kjo shumë ka të bëjë me një tender të lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Gjithashtu në pranga, si bashkëpunëtore e dyshuar në këtë skemë korrupsioni ka rënë edhe Laura Shteto.
Kjo e fundit ishte specialiste te zyra e prokurimeve në këtë institucion.
Dy zyrtaret janë dërguar në ambientet e Policisë së Tiranës ku janë marrë në pyetje në lidhje me skemën e dyshuar korruptive.
Hetimet vijojnë pasi ka dyshime se Duro dhe Shteto mund të kenë bashkëpunuar edhe me zyrtarë të tjerë, ndërkohë pritet të ketë edhe arrestime të tjera.
SPAK prej pak kohësh kishte nisur hetimet për shkeljet në tendera, por mësohet se do të rishikohen edhe tendera të tjera që kanë firmën e dy zyrtareve tashmë të arrestuara.