
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi është shfaqur këtë të dielë në Himarë.
Ai zhvilloi një mbledhje në KZAZ, ku në fokus është problemi i raportur lidhur me kartat e identifikimit të skaduara.
Pas takimit, ai deklaroi për mediat se problemi i skadimit të mjeteve identifikuese nuk është kompetencë e KQZ.
“Është e vërtetë që janë 6 mijë votues të cilët dokumenti ose u ka skaduar ose u skadon deri ditën e sotme. Do të duhet të them që e njëjta shifër votuesish ka qenë dhe në zgjedhjet e kaluara. Përse për këto zgjedhje nuk u mor vendim nga qeveria për të zgjatur vlefshmërinë e kartave të identitetit nuk mund ta them.
Nuk kemi pasur një komunimi ditën e sotme se nuk është se do të kishte zgjidhje ditën e sotme. Kjo cështje do të duhej të ishte zgjidhur më parë. Është një cështje që lidhet me interesin e votuesve për të disponuar një dokument identifikimi e më pas autoritetet përgjegjëse shtetërore duhej ti përgjigjeshin interesit. E njëjta gjë qëndron dhe për partitë”, tha ai.
Ndër të tjera, ai theksoi se procesi po shkon mirë, ndonëse ka pasur raste që persona të pautorizuar janë shfaqur në qendra votimi, ndaj të cilëve janë marrë masa.
Më herët, disa qytetarë kërkuan të votonin, por kartat e tyre të identitet ishin të skaduara, ndaj nuk u lejuan./vizionplus.tv