
Kryeministri i vendit, Edi Rama i ka dhënë lamtumirën liderit historik të PS-së Fatos Nano, me një videokartolinë në të cilën ndan momentet më të rëndësishme që shenjuan karrierën politike të tij.
Nano u nda nga jeta ditën e djeshme në moshën 73-vjeçare pas më shumë se 20 ditësh në gjendje të rëndë shëndetësore.
Kreu i qeverisë thotë se “miku i tij i dikurshëm dhe i rigjetur sërish” u nda nga jeta pas një lufte sfilistëve me sëmundjen, por shton se nuk do të ndahet asnjëherë nga kujtimet dhe vendi që ka pasur në PS.
“Mirëmëngjes dhe me këtë videokartolinë lamtumire për liderin historik të socialistëve, mikun tim të dikurshëm e të rigjetur sërish, Fatos Nanon, i cili u nda nga jeta pas një lufte sfilitëse me sëmundjen, por që nuk do të ndahet asnjëherë nga kujtimet tona e nga vendi i nderit në historinë e familjes sonë të madhe, u përcjell të gjithë atyre që e patën kryetar, shok e mik, ngushëllimet e mia vëllazërore”, shkruan Rama.