Rama prezanton projektbuxhetin, deputetët e opozitës i kthejnë shpinën kryeministrit. Debat për tunelin e Llogarasë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Rama prezanton projektbuxhetin, deputetët e opozitës i kthejnë shpinën kryeministrit. Debat për tunelin e Llogarasë

Kryeministri Edi Rama prezantoi në parlament buxhetin dhe paketen fiskale që çel mandatin e 4 të qeverisjes socialiste.

Por diskutimi i ligjeve më të rëndësishme financiare të vitit u kthye nga opozita në një debat për nivelin e korrupsionit në Shqipëri, dhe në shenjë proteste deputetët demokratë i kthyen kurrizin kryeministrit Edi Rama gjatë gjithë fjalimit të tij.

“Shumë faleminderit për këtë lehtësim që i bëni fjalimit tim, sepse më mirë shpina sesa fytyra juaj.”

Para se të sqaronte buxhetin, kryeministri Edi Rama iu kundërpërgjigj akuzave të demokratëve për numrin 2 të qeverisë, Belinda Balluku, dhe marrjen të pandehur të saj nga SPAK-u për tunelin e Llogarasë.

Advertisement

“Përsa i përket tunelit të Llogarasë, dua të them se ai 50 milionëshi është si 450 milionëshi i inceneratorëve, dhe ndërkohë, natyrisht, që sot, pikërisht pse drejtësia është e pavarur, shqiptarët i referohen drejtësisë dhe nuk i referohen atyre që duan të bëjnë prokurorin rrugëve, dhe që pastaj kur dalin në rrugë mbeten kashtë e kokrra, siç më thanë, se kishit mbetur përpara nja dy netësh.”

Meqenëse kryetari i PD, Sali Berisha, është i përjashtuar nga parlamenti, në emër të opozitës me kryeministrin Edi Rama u përball kryetari i grupit, Gazment Bardhi, i cili në të gjithë diskutimin e tij përdori hetimin e SPAK-ut për tunelin e Llogarasë dhe për zv/kryeministren Belinda Balluku, për të akuzuar qeverinë për korrupsion.

“Kur të dëgjoni që Ramat dhe Ballukët e maxhorancës po ju tregojnë sa mirë jetoni, tregojini këtë dosje të SPAK-ut. Është Tuneli i Llogarasë, ku vetëm me një tender të paracaktuar nga Edi Rama dhe Belinda Balluku janë zhdukur të paktën 50 milionë euro. Sa për t’ju rifreskuar kujtesën, po citoj dosjen e SPAK-ut, sesi Belinda Balluku trajton 190 milionë euro nga fondet publike: “Në orën 17:40, Belinda Balluku i shkruan Evis Berberit: ‘Mendoj ta anullojmë. Skualifikoji të gjithë. Kam atë ndjesinë time që nuk duhet.’ Në orën 17:51, Evis Berberi i thotë Ballukut: ‘E ke të frikshme ndjesinë. Kur e do?’ Belinda Balluku: ‘Mbylleni sot me urgjencë.’”

Por kryeministri Edi Rama theksoi se është merita e Partisë Socialiste që sot SPAK-u po heton pa asnjë presion politik dhe lufta ndaj korrupsionit është një prej çështjeve që ka marrë vlerësimin më të lartë nga Brukseli në procesin e integrimit në BE.

Advertisement

“Nëse sot Shqipëria për herë të parë në histori heton pa dallim; nëse sot Shqipëria për herë të parë ka vendosur në të njëjtin nivel me pushtetin legjislativ dhe pushtetin ekzekutiv edhe flamurin e pavarësisë së pushtetit të drejtësisë, kjo jo vetëm është merita ekskluzive e Partisë Socialiste të Shqipërisë, por nga ana tjetër, botërisht dihet se Partia Socialiste e Shqipërisë është dhe garantja ekskluzive e asaj pavarësie.”

Pasi iu kundërpërgjigj akuzave të opozitës, kryeministri Edi Rama sqaroi shtyllat kryesore të buxhetit, duke theksuar se në vitin 2026 dhe në të gjithë mandatin e 4 prioritet do të jenë pensionistët.

“Kjo buxhet është një buxhet historik për Partinë Socialiste, sepse për herë të parë adreson në mënyrë domethënëse dhe të qëndrueshme përmes një angazhimi financiar afatmesëm prej 1.7 miliard eurosh rritjen e mbështetjes së pensionistëve.”

Rama theksoi se paga minimale nga 1 janari do të jetë 500 euro, do të rriten pagat në administratë, e qeveria do të falë detyrimet e papaguara dhe gjobat për t’i dhënë frymëmarje biznesit. Por për demokratët, buxheti nuk do të shërbejë për të përmirësuar jetën e qytetarëve, por do t’i shërbejë interesave personale të kryeministrit Edi Rama dhe numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku.

Advertisement

“Na i kurseni këto sajesat e buxhetit më të madh që do të bëjë shqiptarët më të lumtur. Buxheti që kemi përpara nuk është për shqiptarët. Është për ruajtjen e pushtetit të korruptuar të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut.”

Vetë kryeministri Rama u largua nga parlamenti pasi mbaroi fjalën; ndërkohë që i gjithë grupi parlamentar i PD mori vërejtje për gjestin e kthimit të kurrizit ndaj shefit të qeverisë Rama.

/vizionplus.tv

Advertisement
Share.

Leave A Reply

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy