Meshkujt përdorues të duhanit prej disa vitesh rezultojnë më të prekurit nga kanceri i mushkërive, ndërsa mjekët onkologë vërejnë se ka edhe ulje të moshës mesatare të pacientëve.
Një tjetër shqetësim që ngrenë specialistët është edhe identifikimi i kësaj sëmundjeje në fazë shumë të vonshme.
“Duke qenë se këto kancere nuk japin shenja shumë të mëdha, ato e fshehin klinikën, prandaj edhe pacientët paraqiten në spital në faza të vonshme dhe mbijetesa e tyre pesë vjeçare, bie jashtëzakonisht shumë. Kanceri i mushkërive është ai që shkakton vdekshmërinë më të lartë në popullatë, si tek meshkujt ashtu edhe tek femrat”, thotë Silvana Çelinku, shefe e shërbimit onkologjik, QSUT.
Mjekët bëjnë thirrje për kontrolle periodike të gjendjes shëndetësore si dhe për një jetë të shëndetshme, larg duhanit dhe alkoolit dhe sa më shumë aktivitet fizik.
“Pavarësisht se kemi një rritje të ndërgjegjësimit të popullatës, njerëzit duhet të kuptojnë që duhet të shkojnë tek mjeku edhe kur nuk kanë shenja madhore. Psh. me një analizë fare të thjeshtë siç mund të jetë një feçe për gjak okult, ti mund të zbulosh një kancer të zorrës së trashë apo të stomakut, dhe mund të nisësh trajtimin duke i shpëtuar kimioterapisë”, thotë Çelinku.
Sipas statistikave, në vendin tonë regjistrohen të paktën 800 raste të reja në vit me kancer në mushkëri./vizionplus.tv