Sa rrezikohet Ballkani nga lufta në Ukrainë?

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Sa rrezikohet Ballkani nga lufta në Ukrainë?

Nga Giovanni Vale “Osservatorio Balcani”

Ekzistojnë shumë arsye pse Ballkani Perëndimor e sheh me shqetësim të veçantë luftën që po ndodh në Ukrainë. Nga arsyet gjeopolitike, tek lidhja tradicionale midis Rusisë dhe Serbisë (i vetmi vend evropian bashkë me Bjellorusinë që nuk ka vendosur sanksione kundër Kremlinit), tek separatizmi i shfrenuar i mikut të Putinit, Milorad Dodik, në Bosnje Hercegovinë, dhe deri tek arsyet ekonomike, si për shembull mbyllja e bankës ruse “Sberbank” në Evropë, e pranishme në shumë vende të rajonit.

Në këtë situatë parashikimet se çfarë na pret nuk janë të lehta, pasi çdo orë sjell zhvillime të reja ushtarake, diplomatike dhe ekonomike. Por le të përpiqemi të përshkruajmë se çfarë po ndodh, dhe cilët mund të jenë skenarët e ardhshëm në Evropën Juglindore.

Advertisement

“Nëse Rusia pushton Ukrainën, pika më e cënueshme në Ballkanin Perëndimor është Banja Luka”- tha më 25 shkurt presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Bosnja po mbahet nën vëzhgim prej muajsh nga komuniteti ndërkombëtar, qëkur Dodik, lideri i Republika Srpska (entiteti me shumicë serbe në Bosnje) që ka kërcënuar prej vitesh me shkëputje, kaloi nga fjalët tek fakte, me krijimin në Banja Luka të agjencive dhe institucioneve paralele, me ato që tashmë ekzistojnë në nivel federativ në Sarajevë.

Dhe nuk është vetëm retorikë:në dhjetorin e vitit 2021 parlamenti i Republika Srpska miratoi një ligj që sanksionon tërheqjen e njësisë nga sistemi gjyqësor, administrata tatimore dhe ushtria e Bosnje Hercegovinës. Shumë zyrtarë dhe analistë e denoncuan këtë lëvizje, që është quajtur edhe si “kriza më e madhe ekzistenciale në Bosnje që nga fundi i luftës”.

Të premten, kreu i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, njoftoi forcimin e misionit paqeruajtës “Eufor Altea” në Bosnje dhe Hercegovinë, numri i trupave do të rritet nga 600në 1100.

“Presim të shohim provokime në Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht në Bosnje dhe Hercegovinë”- shpjegoi Borrell. Pra Brukseli druhet se Dodik do të përfitojë nga rasti për të vazhduar me shkëputjen. Por ai nuk është i vetmi që mund të tundohet për të vepruar.

Advertisement

Edhe Dragan Çoviç, kreu i partisë nacionaliste kroato-boshnjake HDZ-BIH, po ushtron presion për një rishikim të Marrëveshjes së Dejtonit. Edhe ai ëndërron të krijojë një “entitet të tretë” në Bosnje, dhe Zagrebi nuk e fsheh se dëshiron ta mbështesë këtë projekt.

Shtimi i trupave ndërkombëtare në Bosnje Hercegovinë -edhe pse numri i tyre mbetet më shumë simbolik sesa i aftë për të shmangur një konflikt – duhet lexuar si një pengesë kundër atyre që duan të kapin në befasi Bashkimin Evropian dhe NATO-n, duke e ndryshuar statuskuonë në këtë vend.

Gjithsesi në një perspektivë afatgjatë, Brukseli duhet që ta zgjidhë problemin duke dialoguar me Banja Lukën (dhe Beogradin), por edhe me Zagrebin dhe me nacionalistët kroato-boshnjakë. Dhe derisa ndërmerret një reformë që lejon që Bosnja të bëhet një vend funksional, kriza mundet vetëm të shtyhet por jo të shmanget.

Ndërkohë, zhvillimi më i fundit: një telefonatë ishte zhvilluar të dielën midis Ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov dhe Dodik. Të dy – tha udhëheqësi serb i Bosnjës – ranë dakord për zbatimin e disa “marrëveshjeve të nënshkruara me Putinin në dhjetor 2021”. Por deri më tani, Dodik nuk ka dhënë asnjë informacion të mëtejshëm mbi këto marrëveshje.

Advertisement

Pak shtete nuk janë rreshtuar me qëndrimin e Brukselit, duke mos e dënuar kështu pushtimin rus dhe duke mos vendosur sanksione kundër Moskës. Edhe Zvicra, një vend neutral, njoftoi në fundjavë masat e saj kundër Rusisë. Në listë mungojnë vetëm dy vende:Bjellorusia, e cila ka vendosur të marrë pjesë aktive në konflikt dhe kundër së cilës BE-ja ka njoftuar tashmë  sanksionet e reja, dhe Serbia.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç priti 2 ditë para se të fliste për pushtimin rus të Ukrainës të premten në mbrëmje. “Shkelja e integritetit territorial të çdo vendi, është një akt shumë i rëndë. Por Serbia ka interesat e saj jetike dhe miqtë e saj tradicionalë, dhe për këtë arsye nuk mund të vendosë sanksione kundër Moskës”- shpjegoi Vuçiç.

Moska është jo vetëm një aleate e vjetër e Beogradit, por edhe një partnere e domosdoshme energjetike dhe diplomatike, një shtet që ka lobuar gjithmonë kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës. Prandaj kthimi i shpinës ndaj Moskës, mund të kishte një kosto shumë të lartë për Serbinë.

Por nuk duhet harruar edhe një aspekt i politikës së brendshme:më3 prill, Serbia mban zgjedhjet presidenciale, parlamentare dhe lokale dhe është e arsyeshme të thuhet se shumica e serbëve janë kundër sanksioneve (një sondazh i kryer vitin e kaluar nga Instituti për Çështje Evropiane në Beograd, zbuloi se për 83 për qind e serbëve mendonin se Rusia ishte një vend “mik”). Ndjekja e udhëzimeve të Brukselit duke goditur Moskën me sanksione, mund të shkaktonte humbjen në zgjedhje për Vuçiç. Por nga ana tjetër braktisja e BE-sënë këtë betejë do të ketë pasoja. Disa eurodeputetë kanë shprehur tashmë indinjatën e tyre për zgjedhjen e Vuçiç.

Advertisement

Një diplomat i lartë evropian në Beograd, më tha përmes telefonit se “ky vendim mund të sjellë fundin e procesit të anëtarësimit për Serbinë”. Por jo të gjithë mendojnë kështu. Për shembull politologu serb Srgjan Cvijic, thotë se edhe në të kaluarën, ka pasur situata në të cilat Brukseli mund të kishte ndërprerë procesin e integrimit.

Për shembull për shkak të përkeqësimit të sundimit të ligjit apo lirisë së shprehjes, por kjo gjë nuk ka ndodhur.“Prandaj loja është e hapur dhe gjithçka duket e mundur, edhe në dritën e shpejtësisë me të cilën Bashkimi Evropian po i ndryshon politikat e tij dhjetëvjeçare”-thekson Cvijic.

Duk marrë shkas nga situata në Ukrainë, Kosova ka kërkuar me vendosjen e një baze të përhershme të NATO-s në vend,dhe fillimin e një procesi të përshpejtuar të anëtarësimit në aleancë. Në pamje të parë kjo duket e vështirë, pasi 5 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja, ku 4 të parat janë gjithashtu pjesë e NATO-s, nuk e njohin ende pavarësinë e Kosovës.

Por këto ditë duket sikur kanë marrë fund dhe po shemben shumë tabu. Frika nga një konflikt i ri i mbështetur nga Rusia në Bosnje, mund ta shtyjë BE-në dhe Shtetet e Bashkuara që të përshpejtojnë edhe procedurat për këtë vend. Po sa do të ndikojnë në rajon sanksionet e vendosura ndaj Federatës Ruse.

Advertisement

Ndryshe nga sa mund të mendohet (sidomos nëse lexoni shtypin pro-rus), pesha ekonomike e Rusisë në Ballkan nuk është e madhe, pasi partnerët e parë në tregti dhe investime janë vendet evropiane. Gjithsesi, Rusia është e pranishme në disa sektorë si hidrokarburet dhe bankat, dhe shtetet e rajonit ekspozohen në mënyra të ndryshme.

Por nëse BE importon rreth 40 për qind të gazit të saj nga Rusia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja janë plotësisht të varura nga gazin rus. Serbia e ble gati 90 për qind të nevojave të saj për gaz nga Rusia, Kroacia 2/3 dhe Sllovenia gjysmën. Përveç kësaj, gjiganti energjetik rus“Gazprom” u shet jo vetëm gazin, por edhe kontrollon drejtpërdrejt pikat e karburantit, objektet e magazinimit dhe rafineritë.

Por ndikimi më emergjent do të ndihet në sektorin bankar. Dega evropiane e “Sberbank” është në rrezik falimentimi,dhe ka një kapital prej 13.6 miliardë eurosh në Bosnje Hercegovinë, Kroaci, Slloveni, Serbi dhe Austri, si dhe në Gjermani, Republikën Çeke dhe Hungari.

E pranishme në Ballkan është edhe VTB, banka e dytë më e madhe në Rusi. Në fakt efektet po ndihen që tani. Në Republika Srpska, qeveria ka njoftuar shtetëzimin i “Sberbank”, ndërsa kanë filluar radhët para bankomatëve.

Advertisement

Ballkani është një nga zonat ku Rusia e Putinit ka ndërhyrë më shumë në vitet e fundit. Nga krijimi i një “qendre humanitare ruso-serbe” në Nish në vitin 2012, tek tentativa për grusht shteti në Malin Zi në vitin 2016, dhe protestat e dhunshme në Maqedoninë e Veriut në vitin 2018 në të cilin ishte përfshirë si financues një ish-deputet rus.

Prandaj, janë të kuptueshme shqetësimet për ndërhyrje të mëtejshme. Por shumë gjëra do të varen nga rezultati i luftës në Ukrainë. A do të shkojmë drejt tërheqjes trupat ruse apo e kundërta, drejt pushtimit të plotë të vendit? A do të ketë një përshkallëzim apo do tëdëbohet Putini nga Kremlini? Për momentin, Ballkani mund të shohë vetëm me frikë seçfarë po ndodh disa qindra kilometra larg./ CNA.al

 

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy