Serbia eksportuese e destabilitetit në rajon! Pse po favorizohet nga Bashkimi Evropian?

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Serbia eksportuese e destabilitetit në rajon! Pse po favorizohet nga Bashkimi Evropian?

Nga Leon Hartwell “Center for European Policy Analysis”

Këtë javë, Bashkimi Evropian çeli atë që quhet si Pjesa IV në negociatat e pranimit të Serbisë në union, që përmban 4 kapituj të negociatave, duke përfshirë politikën e transportit, energjinë, rrjetet trans-evropiane, mjedisin dhe ndryshimet klimatike.

Ky hap dërgon sinjale pozitive, dhe tregon në pamje të parë sikur Serbia ka bërë përparime të jashtëzakonshme, dhe sikur vendi është një hap tjetër më afër anëtarësimit në BE. Të paktën kështu po prezantohet nga qeveria serbe.

Por e vërteta është se qasja e BE-së, është e shkëputur nga realiteti, dhe më shumë sesa po shpërblen përparimin e Serbisë drejt unionit, Brukseli po shpërblen stabilokracinë. Në fillim të tetorit kur prezantoi paketën e re të zgjerimit të BE-së, shefi i politikës së jashtme të unionit, Jozep Borrel i lidhi drejtpërdrejt kriteret politike me anëtarësimin e vendeve kandidate në BE.

Advertisement

Ai theksoi:“Metodologjia e re, është një qasje e bazuar tek meritat. Ajo është e fokusuar akoma më shumë tek reformat themelore si sundimi i ligjit, liritë themelore, ekonomia dhe funksionimi i institucioneve demokratike. Partnerët tanë duhet t’i adresojnë këto çështje, si në interesin e qytetarëve të tyre, ashtu edhe për të avancuar në rrugën drejt BE-së”.

Në pritje të negociatave të reja, Serbia reagoi duke e lavdëruar veten. Sipas ministres së posaçme për procesin e anëtarësimin në BE, Jadranka Joksimoviç, BE-ja e ka njohur “punën e palodhur të Serbisë në fushën e sundimit të ligjit, gjyqësorit dhe luftës së saj kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke vënë në dukje gjithashtu vendosmërinë e Serbisë për të përmirësuar gjyqësorin kombëtar, duke amenduar dispozitat kushtetuese në këtë fushë”.

Sikur të ishte e vërtetë! Fakti është që Serbia nuk ka arritur ndonjë progres të madh në promovimin e demokracisë liberale dhe luftimin e krimit të organizuar, dhe në sytë e shumicës së analistëve të mirë-informuar, ajo ka ecur vazhdimisht në drejtimin e kundërt.

Për shembull organizata “Freedom House” vë në dukje se nën sundimin e presidentit Aleksandër Vuçiç, Serbia ka “shtypur vazhdimisht të drejtat politike dhe liritë civile, duke ushtruar presion mbi mediat e pavarura, opozitën politike dhe organizatat e shoqërisë civile”.

Advertisement

Javën e kaluar, Zyra e Departamentit të Thesarit Amerikan për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) vendosi sanksione mbi 16 individë dhe 24 entitete, për shkak të përfshirjes së tyre të dyshuar me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.

Shumica e këtyre individëve janë serbë ose serbë të Kosovës, ndërsa entitetet janë të vendosura në Serbi dhe në veri të Kosovës, një zonë që është nën ndikimin e qeverisë serbe. Disa nga emrat janë kriminelë të mirënjohur – si trafikantët e drogës dhe armëve Zvonko Veselinovic dhe Milan Radoiçiç – të cilët gëzojnë një mbështetje të madhe nga shteti serb, si dhe nga Partia Progresiste Serbe e Vuçiç.

Në këtë kontekst, koha e vendimit të BE-së për të hapur Pjesën IV të negociatave është shumë befasuese. Ajo më shumë i kundërshton sesa i përforcon realitetet në terren, dhe i jep legjitimitet një regjimi gjithnjë e më autoritar, përpara zgjedhjeve vendimtare të planifikuara për në prillin e vitit 2022.

Por kjo është vetëm gjysma e historisë. Serbia po ndjek një kurs, që është gjithnjë e më i kundërt me atë të SHBA-së dhe BE-në, sa i përket mbrojtjes dhe politikës së jashtme. Në qershor të këtij viti, ajo mori pjesë në një stërvitje ushtarake trepalëshe me Rusinë dhe Bjellorusinë, 2 armiq të deklaruar të Perëndimit, dhe që janë aktualisht nën sanksionet ekëtij të fundit.

Advertisement

Ndërkohë në nëntor, në kontrast të plotë me Shtetet e Bashkuara dhe vendet anëtare të BE-së, Serbia votoi për të mbështetur pushtimin e paligjshëm të Krimesë nga Rusia në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, bashkë me shtetet renegate dhe autoritare si Siria, Irani, Bjellorusia, Koreja e Veriut dhe Kina.

Po ashtu, Serbia ka qenë një eksportuese e destabilitetit dhe përçarjes, duke sfiduar kështu stabilitetin rajonal. Për shembull në shtator, Serbia e përshkallëzoi në mënyrë dramatike  mosmarrëveshjen Serbi-Kosovë, në shenjë hakmarrje për një mosmarrëveshje në thelb të parëndësishme mbi targat e automjeteve, duke shkuar deri në dërgimin e tankeve dhe avionëve luftarakë në kufirin e saj.

Edhe ambasadori rus në Beograd u fotografua pranë kufirit me Kosovën, duke inspektuar trupat së bashku me Ministrin serb të Mbrojtjes. Për më tepër, duke miratuar idenë e “Srpski Svet (Bota Serbe) dhe të Unitetit Serb, Lirisë dhe Ditës Kombëtare të Flamurit, zyrtarët e lartë serbë kanë inkurajuar serbët radikalë të Bosnjës të vazhdojnë të promovojnë idenë e “Serbisë së Madhe”, dhe shkëputjen e Republikës Srpska, entiteti serb i Bosnje Hercegovinës.

Në fillim të këtij muaji, parlamenti i serbëve të Bosnjës votoi pro tërheqjes nga ushtria boshnjake, shërbimet e sigurisë, sistemi i taksave dhe gjyqësori, një hap ky i parë drejt shkëputjes nga federata.

Advertisement

Për më tepër, anëtarësimi i Serbisë në BE, varet nga përparimi në dialogun e saj me Kosovën, që synon të promovojë “normalizimin” e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës pas luftës së vitit 1999, dhe pasojave që solli ajo.

Megjithatë, BE-ja e ka shpërblyer Serbinë me bisedimet për anëtarësimin e ardhshëm në union, ndërsa nga ana tjetër vazhduar të pengojë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës (edhe pse ky vend i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe është një shtet pro-atlantist) Ndërkaq, unioni i bërë presion Kosovës që të zbatojë aspekte të diskutueshme të Marrëveshjeve të Brukselit.

Javën e shkuar, Borrel i bëri thirrjes Kosovës të themelojë të ashtuquajturin Union të Komunave me Shumicë Serbe (ASM). Disa kritikë të kësaj strukture, druhen se ajo të kujton entitetin e Republika Srpska në Bosnje, dhe kjo gjë mund të krijojë në mënyrë të ngjashme në një zonë që është burim i destabilitetit.

Prandaj, hapja e pjesëve të reja në negociatat Serbi-BE, duket më shumë si një paaftësi e Brukselit, dhe që promovon stabilokracinë, një term që i referohet një regjimi gjysmë-autoritar “që merr mbështetje të jashtme, veçanërisht nga vendet anëtare të BE-së, për hir të premtimit (të rremë) të stabilitetit të brendshëm”.

Advertisement

Cilido qoftë shkaku që fshihet pas kësaj sjelljeje të BE-së ndaj Serbisë, dështimi për të frenuar hapat pas në raport me standartet demokratike, do të ketë pasoja të rënda. Në vend se të ecë përpara drejt demokratizimit të mëtejshëm, Serbia do të vazhdojë të ecë drejt autoritarizmit.

Dhe kjo do të thotë se Vuçiç, do të bëhet akoma më i varur nga shpërblimi i mbështetësve dhe ndëshkimi i kundërshtarëve. Kjo qasje, mund të çojë në një thellim të marrëdhënieve ekzistuese me Kinën, të cilat tashmë përfshijnë kompaninë Huauei, që po ndërton rrjetin 5 G në Serbi, bashkë me kurthet e borxheve, që i shoqërojnë zakonisht këto investime.

Në aspektin rajonal, Serbia do të afrohet gjithnjë e më shumë me Rusinë për të destabilizuar më tej rajonin përmes fushatave keq-informuese, dhe duke shfrytëzuar përçarjet sociale. Kjo përbën  një kërcënim serioz për Evropën, pasi përvoja e kaluar sugjeron se ajo që ndodh në Ballkan nuk mbetet vetëm në këtë rajon, por përhapet me shpejtësi kudo ku gjen terren.

Sigurisht, të paktën në letër, BE ka më shumë “karota dhe shkopinj” në dispozicion, se çdo lojtar tjetër në rajon. Gati 70 për qind eksporteve serbe shkojnë në tregun e BE-së. Gjatë viteve 2009-2018, vlera e eksporteve të Serbisë në BE u trefishua, nga 3.2 miliardë euro në 10.9 miliardë euro. Investimet e huaja direkte (IHD) nga BE-ja arritën në 13 miliardë euro nga viti 2010 deri në 2018, ose 70 për qind e totalit të këtyre lloj investimeve në këtë vend.

Advertisement

Po ashtu, BE-ja është donatorja më e madhe e Serbisë. Për shembull, vetëm Instrumenti i BE-së për Asistencën e Para-Anëtarësimit arriti në 1.54 miliardë euro midis viteve 2014-2020  për programet mbi konkurrencën dhe rritjen ekonomike; mjedisin, ndryshimet klimatike dhe energjinë; transportin; bujqësinë dhe zhvillimin rural.

Megjithatë, në mungesë të qëllimeve të qarta dhe të sinkronizimit të “karotës” dhe “shkopit” me realitetet ballkanike,levat e mundshme të BE-së bëhen të padobishme. Leva e BE-së, siç është edhe çelja e fazës së re të negociatave të anëtarësimit, duhet të përdoret për të përforcuar zhvillimin rajonal dhe jo për të shpërblyer bërjen e hapave prapa.

Qasja aktuale e BE-së, është si ajo e ushqimit të një tigri me biftekë, duke pritur që ai të bëhet vegjetarian. Një politikë-bërje efektive, nis me identifikimin e problemit, që në këtë kontekst nënkupton ndëshkimin e sjelljeve të Vuçiçit.

Në rast se BE-ja dëshiron të promovojë një politikë të jashtme të suksesshme në Ballkan, ajo duhet të tregojë më shumë kujdes për të mbështetur përparimin me shpërblime, dhe nga ana tjetër të mos ketë frikë ta përdorë diplomacinë imponuese për të ndëshkuar destabilizuesit./Përkthyer nga CNA.al

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy