Kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha në një intervistë për Vizion Plus ka treguar përballjen e qytetit bregdetar me fluksin e turistëve dhe ndryshimet që qyteti duhet të pësojë për të pasur sa më shumë vizitorë edhe në sezonin e ardhshëm.
Cilat ishin mësimet nga ky sezon dhe çfarë duhet të ndryshojë në të ardhmen?
“Sezoni vazhdon ende, nga kontakti që kam pasur drejtëpërdrejtë me operatorët këtu, shumica e hoteleve vazhdojnë të jenë plot, jo vetëm gjatë fundjavës, por edhe gjatë ditëve të javës”, thekson ai. “Duket që qeveria, por edhe kolegët e mi këtu në Vlorë kanë bërë një punë të mirë, duket që Vlora po kthehet në një destinacion shumë të rëndësishëm turistik, gjë e cila është treguar qartazi edhe në numrat e turistëve që ka nxjerrë qyteti. Mësime ka shumë”, shton ai.
Çfarë duhet ndryshuar që në sezonin e ardhshëm turistët që do të vijnë në Vlorë të jenë edhe më të kënaqur?
“Sfida ka qenë që ne të tërhiqnim vëmendjen e të huajve për të zgjedhur Shqipërinë dhe në Vlorë si destinacion, e kemi arritur me sukses këtë pjesë. Tani është pjesa më e vështirë si ta mbajmë që turistët të fillojnë të vijnë. Problematikat që kemi hasur janë për pjesën e kapaciteteve akomoduese”, shton ai duke theksuar se janë të shumtë investitorët që kanë interes të investojnë në Vlorë. “Kemi parë një rritje të ndjeshme të shfrytëzimit të apartamenteve në qytet”, thekson ai.
“Infrastruktura e brendshme duhet të jetë në një nivel më të mirë në brendësi të qytetit, mos të mbetemi vetëm tek investimet që ka bërë qeveria që jemi shumë mirënjohës, por duhet të jemi dhe vetë promotorë”, shton duke theksuar se investimet nuk duhet të mungojnë në infrastrukturë me shtimin e turistëve.
Në të njëjtën kohë, ai thekson se Bashkia Vlorë është kujdesur që qyteti të jetë i pastër, por sërish kërkon më shumë në sezonin e ardhshëm, që qyteti të jetë akoma më i pastër për turistët.